Katari tha në fillim të këtij muaji se udhëheqësit politikë të Hamasit janë larguar nga territori i tij dhe disa prej tyre kanë shkuar në Turqi. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, Uashingtoni shprehu shqetësim për këtë zhvillim dhe paralajmëroi qeverinë turke që të mos u jepte atyre strehim.
Katari u tërhoq nga ndërmjetësimi midis Hamasit dhe Izraelit në fillim të këtij muaji dhe njoftoi se përfaqësuesit e grupit militant ishin larguar nga territori i tij.
Uashingtoni paralajmëroi Turqinë që të mos u ofronte strehë udhëheqësve të Hamasit.
“Udhëheqësit e një organizate të egër terroriste nuk duhet të jetojnë të qetë askund”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është një mbështetës i vendosur i Hamasit dhe e karakterizon grupin si një lëvizje çlirimtare, madje ai shpalli një Ditë Zie Kombëtare për udhëheqësin e vrarë të Hamasit Ismail Haniyeh. Analistët thonë se udhëheqësit e Hamasit kanë qenë vizitorë të rregullt në Turqi.
“Ata kanë vite që shkojnë e vijnë në Turqi. Haniyeh, i cili u vra nga Izraeli në Teheran, ishte në Turqi më 7 tetor 2023”, thotë Soli Ozel i Institutit për Shkenca Humanitare në Vjenë.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ka thënë se nuk ka plane që Hamasi të hapë një zyrë politike në Turqi, por Ankaraja këmbëngul se do të vazhdojë politikën e saj të angazhimit dhe pritjes së anëtarëve të Hamasit.
“Së pari Ankaraja nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj [ndaj Hamasit]. Së dyti, ata do të vazhdojnë dialogun me Hamasin për të arritur vendosjen e paqes. Kemi nevojë urgjente për paqe dhe stabilitet. Dhe nëse e ndërpresim lidhjen me Hamasin, me kë do të flasim?”, thotë Mesut Casin, një këshilltar i presidencës turke.
Izraeli ka vrarë disa pjesëtarë të udhëheqjes së Hamasit, por deri sot nuk ka pasur njoftime për ndonjë sulm në Turqi. Izraeli thotë se Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë grup terrorist, nuk duhet të gjejë një strehë të sigurt në Turqi.
“Ata do t’i gjejnë udhëheqësit e Hamasit dhe do t’i vënë në shënjestër kudo që të jenë. Por duhet të shtoj se Turqia e ka paralajmëruar Izraelin që të mos veprojë në territorin e saj. Pra kjo krijon tensione të panevojshme në një rajon të mbushur me tensione”, thotë Gallia Lindenstrauss e Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
Hamasi ende mban peng më shumë se njëqind izraelitë dhe analistët thonë se megjithëse Izraeli i ka denoncuar marrëdhëniet e Turqisë me Hamasin, lidhjet e Ankarasë mbeten të dobishme për Izraelin. Kjo u bë e qartë këtë muaj, kur pati njoftime se kreu i agjencisë izraelite të zbulimit Shin Bet u takua në Turqi me homologun e tij turk.
“Turqia dhe Izraeli komunikojnë ndryshe me njëri-tjetrin në publik dhe ndryshe në kanalet diplomatike dhe bashkëpunimin e sigurisë. Kështu ka qenë gjithmonë”, thotë studiuesi Ozel.
Izraelitët e kanë vlerësuar Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump si një mbështetës të vendosur i Izraelit, duke bërë që disa analistë në Turqi të paralajmërojnë se lidhjet me Hamasin rrezikojnë të shndërrohen në një minus për Turqinë dhe një arsye për tensione me administratën e re amerikane./VOA