Ministri i Brendshëm i emëruar, Fatmir Xhafa, ka reaguar sot në lidhje me akuzat publike ndaj tij për tortura të kryera gjatë kohës së diktaturës komuniste. 

Ai thotë se të gjitha këto akuza janë “vetëm shpifje të ulëta, të fabrikuara dhe pa asnjë lidhje me realitetin.”

Deklarata e Xhafës vjen ditën që emri i tij u dekretaua nga Presidenti Bujar Nishani për postin e Ministrit të Brendshëm, pavarësisht se sipas kreut të shtetit kandidatura e tij ishte “e papërshtatshme” për këtë post.

“Asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme,” thotë Xhafa në reagimin e tij. 

 Deklarata e plotë e Fatmir Xhafajt:

 

Kjo deklaratë nuk do të kishte qënë e nevojshme nëse gjatë ditëve të fundit, për shkak të detyrës që më ka besuar Kryeministri, mbi personin tim nuk do të kishte nisur një fushatë shpifjesh dhe balte. Të gjithë ata që më njohin personalisht mua dhe familjen time, por edhe të gjithë ata që me mua kanë patur thjesht një raport profesional, e kanë plotësisht të qartë se akuzat e ditëve të fundit janë vetëm shpifje të ulëta, të fabrikuara dhe pa asnjë lidhje me realitetin. Por, për shkak të rëndësisë së detyrës së re që më është ngarkuar, unë jam i detyruar të ndaj me çdo shqiptar të vërtetën time.

Unë jam i bindur se çdo person që përzgjidhet për të kryer detyrën e Ministrit të Brendshëm, ka detyrim përpara publikut, për të bërë transparencë të plotë mbi çdo aspekt të jetës së tij profesionale, personale apo familjare.

Por jam po ashtu i bindur se, në emër të së drejtës së opozitës për të informuar, askush nuk duhet të shtrembërojë, fabrikojë, apo falsifikojë fakte që lidhen me jetën dhe figurën e çdo qytetari, qoftë ky edhe kandidat për tu emëruar Ministër i Brendshëm.

Në vitin 1982 kam përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në shtator të atij viti jam emëruar Këshilltar Ligjor pranë Zyrës së Ndihmës Juridike në Gjykatën e rrethit Krujë. Në maj 1983 jam zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e rrethit Krujë. Në qershor 1984 krijohet për herë të parë organi i hetimit penal, si institucion i veçantë dhe i pavarur nga institucione të tjera, pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë të asaj kohe pranë prokurorive të rretheve, tërësisht i ndarë nga organet e hetimit të Ministrisë së Brendëshme. Po atë vit, në qershor, më emëruan në punë pranë këtij organi. Në këtë periudhë prej një vit e gjysëm, (qershor 1984 – dhjetor 1985), kam kryer edhe stazhin gjashtëmujor në prodhim, pranë Ndërmarrjes Bujqësore Krujë. Në fund të vitit 1985 jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26-vjeçare.

Sikurse del qartë nga këto fakte, asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme.

Këto ditë, kam dëgjuar në media, gjëra absurde që nuk kanë të bëjnë fare me personin tim. Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe e telefonata të porositura se në vitin 1986, e paskam dhunuar apo torturuar, vit në të cilin, unë nuk kam qënë fare në punë në organet e drejtësisë të asaj kohe. Në Janar të vitit 1986 kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar.

Ndërkohë, janë të pavërteta pretendimet e një zonje për dhunë ndaj saj dhe vëllait të saj në një proces penal të kohës. Sa unë jam në dijeni, kjo çështje penale është gykuar dhe përfunduar në fundin e vitit 1986, periudhë kur unë nuk isha më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Të gjitha këto fakte të cilat jam i detyruar t’i ndaj sot me publikun, më bëjnë të ndihem i keqardhur për mënyrën se si dy individët që kanë ngritur akuza ndaj meje janë keqpërdorur nga porositësit e tyre. Dhe në të njëjtën kohë, jam i befasuar edhe nga mënyra që opozita ka zgjedhur për të përdorur historitë e dy emigrantëve, të cilët i ka kthyer në dëshmitarë të rremë, për të provuar një akuzë të rremë, në sallën e gjyqit të rremë të organizuar në selinë e re të Partisë Demokratike.

Për ata të cilët më njohin sado pak personalisht, por me siguri edhe për shumicën e opinonit publik që ndër vite është njohur me punën dhe qëndrimet e mia, do të ishte e panevojshme që sot të deklaroj se nuk kam ASNJË lidhje me sa pretendohet kundrejt meje.

Edhe pse në qytetin e Krujës unë dhe familja ime jetuam për shumë pak kohë, jemi pritur bujarisht dhe kemi gëzuar respekt. Banorët e Krujës dinë gjithashtu mirë edhe se çfarë përfaqësojnë personat apo rastet e sipërpërmendura.

Dëshiroj të jem i qartë dhe i sinqertë me të gjithë : natyra ime si person, edukimi im familjar dhe ai profesional, i gjithë formimi im në tërësi, nuk ka patur, nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë ASNJË lidhje me dhunën e çfarëdo lloji qoftë ajo. Gjithçka ëshë thënë e komentuar këto ditë, janë thjesht SHPIFJE të ulëta në funksion të fushatës politike të ndërmarrë kundër meje.

Më thellon keqardhjen edhe fakti se kryetari i ri i partisë më të madhe opozitare, ripërtyp në publik akuza e shpifje të moçme të shefit të tij politik, në adresë të familjarëve të mi. Këto akuza e shpifje i kanë kaluar të pesëmbëdhjetë vjetët dhe e kanë marrë përgjigjen më shumë se një herë. Ato riaktivizohen sa herë më besohet një detyrë me rëndësi, njësoj si herën e fundit gjatë kryerjes së funksionit të kryetarit të komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi. I kujtoj liderit të Partisë Demokratike dhe i mësoj kryetarit aktual të saj, se në tetor 2010 kam bërë një deklaratë në Parlament lidhur me baltën e hedhur në mënyrë sistematike ndaj meje dhe e kam ftuar publikisht qeverinë apo grupin parlamentar të Sali Berishës të hetojë për çështjen në fjalë dhe akuzat lidhur me personin tim.

E kam ditur atëherë, sikurse e di edhe sot, se për kundërshtarët e mi akuzat e tyre publike janë pjesë e lojës së ulët politike. Sa herë flasin me mua në Parlament, sigurisht në ambiente pa kamera, më thonë se nuk duhet t’i marrë seriozisht e as të shqetësohem, pasi në fund të fundit kjo është politika. Parimi makiavelik sipas të cilit “qëllimi justifikon mjetin” qëndron në themel të propagandës së Partisë Demokratike.

Pavarësisht se jam i bindur se kjo deklaratë dhe këto sqarime të miat nuk kanë për të ndryshuar mendjen, e aq më pak metodat e punës, së atyre që nuk ngurojnë të luajnë këtë lojë të dëmshme për vendin, unë zgjodha të jem transparent me publikun.

Thellë thellë, besoj se ka vetëm një mënyrë shterruese që unë t’i përgjigjem kësaj ofensive të çartur balte. Të bëj vetëm atë që unë di të bëj më mirë. Të punoj me ndershmëri e profesionalizëm çdo ditë në shërbim të vendit tim, në respekt të kushtetutës, ligjeve dhe njerëzve. Të kryej detyrën që më është besuar me pasion qytetar dhe vendosmëri të plotë, për të çuar përpara përpjekjen e madhe që është bërë në këto tre vite, për të kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve.

Koha është vlerësuesi që nuk gabon kurrë !

FATMIR XHAFA