Komentatori dhe gazetari Alban Xhihani, deklaroi se është gjithçka gati për ndeshjen e Shqipërisë me Çekinë. Në “Klan News”, Xhihani deklaroi se ne komentin e ndeshjes do të jetë si gjithmonë në këtë edicion me ish-futbollistin Arjan Peço.
Sipas tij, në transmetimin e ndeshjes dhe “Klan Kuqezi” do të jetë një mbrëmje për tu shijuar.
“Klani është gjithmonë gati. Sidomos për ndeshjet në shtëpi. Edhe ne, në transfertë jemi nga studio. Kemi pasur fatin që në vitet e fundit, stadiumi të jetë plotë. Ne koment, si gjithmonë do të jem me Arjan Peçon. Nuk ndryshohet formacioni, siç bën edhe Silvinjo.
Në “Klan Kuqezi” do të jenë Erjon Bogdani, Edmond Kapllani, do të kemi edhe miq të tjerë. Do të jetë një mbrëmje interesante për tu shijuar. Këtë herë do të kemi një minutazh më të gjatë edhe për shkak të programacionit”, tha ai.
Xhihani theksoi se në sulm do të jetë Indrit Tuci, kjo edhe për shkak se i njeh mirë çekët, pasi luan në kampionatin e tyre. Ndër të tjera, ai u shpreh se te Shqipëria mund të ishte ftuar edhe një sulmues tjetër, duke parë mungesat, ndërsa përmendi Cristian Shpendin.
Në lidhje me dy ndeshjet, sipas Xhihanit ajo ndaj Ukrainës mund të jetë më e vështirë në nivel teknik.
“Mendoj se Tuci do të jetë në sulm, për shkak se luan në kampionatin çek. Tuci dhe Laçi i njohin rivalët. Kjo edhe për shkak se jemi të detyruar, pasi Daku është i pezulluar, pastaj Manaj e Broja të dëmtuar. Tre sulmues nuk i kemi. Tucin dhe Uzunin kemi për sulmin. Lajmet e fundit janë që Muçi ka pasur një dëmtim, por është gati.
Mesfusha nuk ndryshon mendoj me Ramadanin dhe Asllanin e Laçin. Përpara Bajrami, Asani dhe Tuci. Kjo është me hamendësim. Silvinjo e ndan në momentin e fundit kush luan. Ne duhet të kishim më shumë sulmues mendoj unë. Mund të ishte Cristian Shpendi. Janë dy ndeshje. Ne në ndeshjen e dytë kryesisht kemi treguar shenja lodhje. Këto janë finale për ne. Nëse humb me Çekinë, nuk e kap vendin e parë. Vendi i dytë të jep mundësinë për “play off”. Vendi i tretë të lejon të luash për fitore, ndërsa vendi i katërt të zbret në Ligën C.
Të dyja ndeshjet janë shumë të forta, në nivel teknik unë ndeshjen me Ukrainën e shikoj më të vështirë. Tuci ka pasur një paraqitje shumë të mirë në stërvitje, që mund ta kenë bindur trajneri. Bajrami po kalon formë shumë të mirë. Nuk e di nëse do të aktivizohet Muçi.
Trajneri duhet t’i shfrytëzojë lojtarët që janë më në formë. Daku mungon vetëm ndaj Çekisë. Do të jetë ndaj Ukrainës. Ka vend edhe për një sulmues tjetër. Mund të ishin marrë lojtarë pa probleme fizike. Qoftë edhe për të ardhur një xhiro në Kombëtare për tu përshtatur. Vëllezërit Shpendi janë një kontingjent i mundshëm për Shqipërinë. Megjithatë ne jemi për të folur këtu, zgjedhjet i takojnë trajnerit”, deklaroi Xhihani.
Ndeshja Shqipëri-Çeki do të luhet ditën e shtunë, duke nisur nga ora 20:45, ndërsa transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan.
/tvklan.al