Trajneri i Zvicrës Murat Jakin është optimist për sfidën që kombëtarja e tij do të ketë kundër Anglisë në çerekfinalet e Euro 2024. Tekniku ka bërë pak ndryshime në formacionin titullar, me ekipin që eliminoi Italinë dhe barazoi me Gjermaninë, në një ndeshje ku ‘pancerat’ vuajtën jo pak.
Për përballjen me “tre luanët”, Yakin kërkon nga “helvetët” përqendrim, të ruajnë formën e mirë e gjithashtu edhe elementin surprizë. “Cili ekip ëshët favorit? Vlera e ekipit anglez është shumë më e madhe se sa skuadra jonë dhe tani le të luajmë! Do të jetë një ndeshje e hapur. Jemi në një situatë të mirë, luajmë bukur, marrim rezultate pozitive, kemi një shpirt gare të mire. Ata kanë pasur probleme në ndeshjet ndaj ekipeve kur luanin në mbrojtje. Nuk është e lehtë të luash kundër një ekipi që ka prapavijë të fortë dhe ndoshta është një situatë e mirë për ne kur kemi një kundërshtar që dëshiron të luajë futboll. Pres një sfidë të hapur!”
Tekniku i “helvetëve” refuzoi të fliste për performancën e Anglisë në sfidën e vuajtur ndaj Sllovakisë, e tha se fokusi i tij është vetëm Zvicra. Kapiteni Granit Xhaka mungoi në stërvitjen e së martës për shkak të një dhimbjeje në muskul, por ai pritet për takimin e së shtunës, me të dyja kombëtaret që synojnë një vend në gjysmëfinale.
Klan News