Mesfushori i Kombëtares, Ylber Ramadani, foli në konferencë për shtyp, para ndeshjes që Shqipëria do të luajë ndaj Çekisë.

Futbollisti kuqezi vlerësoi kundërshtarin, por theksoi se do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo e Pragës, ku Shqipëria u mposht 2-0.

Sipas tij, presioni nuk ndikon, sepse lojtarët e Kombëtares tashmë dinë si ta menaxhojnë.

“Të dy kundërshtarët janë të fortë. Të dyja kanë luajtur në Europian. Ne mendojmë fillimisht për Çekinë dhe më pas për Ukrainën. Çekia është shumë e fortë fizikisht. Ne po përgatitemi si do të luajmë ndaj tyre. Tifozët janë një shtysë e madhe për ne.

Në futboll kështu është, ndeshje pas ndeshje. Presion kemi gjithmonë, por ne dimë si ta menaxhojmë. Ndaj Çekisë këtë herë do të jetë një ndeshje tjetër. Duhet ta menaxhojmë presionin në mënyrën e duhur”, tha Ramadani.

Mesfushori deklaroi ndër të tjera se nuk e ka problem me cilin luan në mesfushë, sepse përshtatet lehtë me të gjithë. Gjithashtu, Ramadani deklaroi se Shqipëria duhet të ketë kujdes nga sulmuesi kryesor i Çekisë.

“Unë nuk e kam problem me cilin luaj në mesfushë. Unë përshtatem shumë. Detyra ime është që të ndihmoj mbrojtjen. Nuk e kam problem të luaj mes asnjërin. E vendos trajneri. Unë nuk lodhem asnjëherë. Lojtarët që më ndihmojnë është mirë. Unë jap gjithçka në fushë.

Unë notat nuk i shikoj kurrë. Shikoj vetëm analizën e trajnerit. Nuk kam kohë t’i shikoj. Ai sulmuesi i Çekisë është shumë i gjatë. Te topat e gjatë duhet ta mbulojmë dy veta mendoj. Ai sulmuesi është që e bën të gjithë lojën e Çekisë.

Të gjithë që kemi ardhur këtu, kemi ardhur për të marrë rezultate pozitive dhe do të bëjmë gjithçka. Nga ndeshja e kaluar do të ndryshojmë qasjen mendoj”, deklaroi Ramadani.

Shqipëria do të përballet me Çekinë më 16 Nëntor në stadiumin “Air Albania”, me sfidën që do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan. /tvklan.al