Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pothuajse në të gjitha raportet, por dhe tek i fundit i ndërkombëtarëve theksohet hapur nevoja e balancimit të KQZ, balancë e cila u dëmtua në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar, 5 me 2 në favor të mazhorancës.

Deklarata mbështetëse e Bashkimit Europian kërkon progres në përbërjen e KQZ, ndërsa ajo e SHBA thotë, se shpreson në krijimin e një KQZ, të paanshme. Kjo është edhe kërkesë e opozitës për të zhbllokuar punën për reformën zgjedhore. Socialistët e shohin të pamundur ndryshimin pasi i duhet prekur Kushtetuta. Balancimi i KQZ është problem politik, por edhe juridik. Një zgjidhje jepet edhe prej juristëve.

Ylli Manjani: “Do të sugjeroja ndoshta një zgjidhje të vetme teknike, por dhe ndoshta dhe politike, një vendim të Kuvendit të Republikës, për shkarkimin en-blok të gjithë anëtarëve të KQZ. Kjo do ishte zgjidhja e vetme që do të krijohej mundësia e një ristartimi të një KQZ tjetër, mbi bazën e rregullave në fuqi, sepse çështja është që kredibiliteti i organizimit, i përbërjes aktuale të KQZ është vënë në diskutim për shkak se pretendohet që rregullat aktuale nuk janë zbatuar. Në momentin që flitet për emra konkretë, që të ndërpritet mandati i x apo y, kjo është anti-kushtetuese. Për të prekur Kushtetutën ka vetëm një nismë dhe nisma është parlamentare. Kjo presupozon që duhet të ketë një konsensus absolut.”

Në këtë situatë kritike, zgjedhjet cilësohen si moment vendimtar për të ardhmen. Opozita kërkon tashmë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për KQZ, se si mund të arrihet një kompromis që nuk prek Kushtetutën dhe jep zgjidhje.

Ndërkohë kryetari i KQZ Celibashi nuk ka preferuar të jap asnjë koment rreth balancimit dhe varianteve të hedhura nga OSBE, për zgjidhjen e çështjes apo daljen nga kolapsi i reformës zgjedhore./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti