Pavarësisht se sondazhet e nxjerrin fituese nëse bashkohet, opozita në Kosovë duket ende larg gjetjes së një mekanizmi për t’u shfaqur e unifikuar në qëndrimet e veta.
Për ish-kryen e Vetëvendosjes, Visar Ymeri kjo duket edhe në qëndrimin që forcat opozitare mbajnë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
“Tash qartazi nuk ka opozitë të bashkuar. Secila prej tyre ka qëndrimin e vet. Ka parti politike siç e dëgjuam PDK-në e cila thotë se po shkojmë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit. Dy partitë tjera po thonë që dorëheqja ose shkarkimi i kryeministrit është rruga drejtë zgjedhjeve dhe këtu kjo ka një përplasje”, tha Ymeri.
Nga ana tjetër, ai thotë se edhe kryeministri i Albin Kurti është më shumë i interesuar që të mbështesë propozimin e PDK-së që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit dhe jo dorëheqjes së tij.
“Meqë kryeministri Kurti e shfaqi menjëherë një nevojë të jashtëzakonshme për të shkuar në zgjedhje, atëherë duhet të na tregojë së pari pse paska kaq nevojë, pra çka është ajo që mbeti e pabërë nga kryeministri dhe Qeveria të cilët e kanë shumicën në Kuvend dhe nëse ti mua më thua që si kryeministër nuk munde t’i realizojë disa qëllime tua me 50 për qind të votave, sa vota të duhen ty që me mujt me realizua diçka”.
Ndaj Ymeri thekson se opozita duhet të këmbëngulë për ta detyruar Kurtin që të tregohet i sinqertë me elektoratin dhe të pranojë se nuk ka mundur të realizojë një pjesë të mirë të programit të tij.
Tv Klan