Ambasadorja, letër Ramës dhe Bashës
Kur partitë politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, duke filtruar dhe kandidatët për deputetë, ambasadorja amerikane tërheq vëmendjen për përfaqësimin e tyre në parlament, në mënyrë të veçantë për pastërtinë e figurës së çdo kandidati.
Përmes një letre që iu ka nisur tre kryetarëve të partive më të mëdha në vend, diplomatja e SHBA në Tiranë iu kujton se janë ata përgjegjës për kandidatët që do të konkurrojnë nën logon e partive që ata drejtojnë.
“Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike të verifikojnë kandidatët dhe të emërojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë. Ndërsa individi është përgjegjës për deklarimin e historisë personale kriminale, liderët e partive duhet të sigurohen për integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë funksione nën logon e tyre.
Ligji i Dekriminalizimit parashikon që personat e dënuar, me çështje penale apo me rekorde kriminale në Shqipëri apo jashtë saj nuk janë të ligjshëm për t’u emëruar në poste publike, domethënë të zgjedhur nga populli apo të emëruar në poste brenda administratës publike ose institucioneve të paracaktuara në Kushtetutë apo akte të tjera ligjore. Në zbatim të Ligjit të Dekriminalizimit, disa deputetë e kryebashkiakë ose kanë dhënë dorëheqjen, ose janë shkarkuar, ndërsa të tjerë janë hetuar. Ju mund të luani rol në këto përpjekje duke i mbajtur këta individë të njohur të korruptuar jashtë listës së partisë suaj”.
Që prej miratimit të Ligjit të Dekriminalizimit ambasada amerikane ka treguar një vëmendje të madhe për zbatimin e tij, duke bërë thirrje të përsëritura për krerët e partive për të mbajtur larg kandidatët që janë subjekt i tij.
Tv Klan