“Nuk mund ta shkruajnë të tjerët historinë tonë”
Pas kundërshtimit nga ana bullgare të mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, Kryeministri Zaev ka akuzuar Sofien zyrtare për sjellje jo evropiane, ndërkohë që për këtë ka bërë përgjegjës edhe Bashkimin Evropian.
Këtë të enjte, kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut tha se populli dhe identiteti maqedonas janë e drejtë e vetëpërcaktimit dhe akush tjetër nuk mund ta shkruajë historinë maqedonase.
Bllokimi i procesit të integrimit evropian të Maqedonisë ka bërë që Kryeministri Zoran Zaev, të mos e fshehë dëshpërimin për qorrsokakun në të cilin u gjetën aspiratat për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ja dhe arsyetimi:
“Në Bullgari thonë, ne e njohim identitetin dhe gjuhën maqedonase, që sot është realitet. Le t’i kthehemi të kaluarës. E dini si, edhe e kaluara e identitetit tim është e drejta ime e vetëpërcaktimit. Prandaj nuk është mirë që një vend tjetër të kërkojë t’ju shkruajë historinë tuaj”, deklaroi Kryeministri Zoran Zaev duke nënvizuar se një qasje e këtillë ‘nuk është as evropiane e as miqësore.
Qëndrimi bie ndesh me atë të Sofies zyrtare të cilin këto ditë për Tv Klan Maqedonia e riafirmoi edhe eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev. Sipas tij, kërkesat e palës maqedonase në fakt janë vazhdim i asaj që Kovaçev e quan ‘propagandë e kohës së komunizmit’, për shkak se, argumenton ai, historia e bullgarëve dhe maqedonasve nuk mund të ndahet.
“Ajo ka qenë e përbashkët, sepse atëherë shumica e njerëzve nuk kanë qenë të ndarë, as në Kukush, as në Manastir, as në Ohër, as në Shkup dhe janë ndjerë në mënyrë të njëjtë, pa marrë parasysh në cilën anë të kufirit aktual kanë jetuar. Kjo është dashur të ndodhë në vitet e fundit, por për fat të keq nuk ka ndodhur dhe prej këtu del edhe ky problem që e kemi tani dhe të cilin duhet ta zgjidhim shumë shpejt që të mund të vazhdojmë së bashku në familjen tonë evropiane, me dallime të tejkaluara nga e shkuara”, thotë Kovaçev.
Përkundër kësaj, Kryeministri Zoran Zaev çmon se për situatën e krijuar përgjegjës është Bashkimi Evropian, për shkak se, sikundër thotë, u ‘spërkat me hi’.
“E bëmë Marrëveshjen e Miqësisë, pranuam historinë e përbashkët, në brendi të vendit, për të ndërtuar të ardhme të përbashkët. Treguam vlera evropiane. NË shtëpi i zgjidhëm çështjet ndëretnike, e mbyllën Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Treguam sjellje dhe vlera evropiane. Me Marrëveshjen e Prespës bëmë një depërtim historik në frymën e vlerave dhe sjelljes evropiane dhe erdhi momenti që Evropa të tregojë vlera evropiane dhe ngeci”, tha Kryeministri Zaev për portalin maqedonas ‘Utrinski’.
Përplasjet më të fundit diplomatike në vijën Shkup – Athinë vëzhguesit i ndërlidhin me zgjedhjet e afërta në Bullgari dhe përçapjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që para zgjedhjeve lokale, të vitit të ardhshëm, të arkëtojë pikë që sado-kudo do të amortizonin pasojat e pandemisë.
Të njëjtët thonë se kjo mund të jetë ndër arsyet për zvarritjen e zbatimit të plotë të traktatit me të cilin pala maqedonase tërthorazi heq dorë nga interesimi për minoritetin maqedonas në Bullgari që, sipas Sofies zyrtare, nuk ekziston. /Klan Macedonia