Një operacion i përbashkët mes gjashtë vendeve, përfshirë Shqipërinë, i mbështetur edhe nga Europol ka goditur grupet kriminale që pastrojnë paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe krimet e tjera të rënda. Europol raporton se janë arrestuar 9 persona, u sekuestruan 25 milionë Euro në kriptomonedha, 35 mijë Euro cash, mallra luksoze e sende me vlerë.

Europol thotë se në vitin 2021 u sekuestruan para cash gjatë një kontrolli në një shtëpi pas hetimit për trafikun e kokainës. Disa prej kartëmonedhave prej pesë Eurosh kishin mbishkrime të shkruara me dorë, të cilat jepnin informacion se kush po koordinonte trafikun e jashtëligjshëm.

Ky informacion iu dha Europol-it nga autoritetet e drejtësisë spanjolle dhe më pas u krye verifikimi me të dhënat e përfituara nga përgjimet e platformave EncroChat dhe Sky ECC. Gjatë operacionit “Gorgon” Europol bën të ditur se u zbulua një anëtar i rrjetit kriminal në Shqipëri, i cili transferonte shuma të mëdha parash përmes kriptomonedhave. Në vendin tonë nga ky operacion u godit grupi Çopja. “Kjo nuk përdoret vetëm nga krimi shqiptar, por edhe nga organizata të tjera kriminale duke lëvizur vlera të mëdha monetare”, shprehet europol.

Në këtë operacion të përbashkët morën pjesë Shqipëria, Bullgaria, Belgjika, Holanda, Spanja e Shtetet e Bashkuara. Strukturat shqiptare që u anagzhuan në këtë operacion ishin SPAK e Byroja Kombëtare e Hetimit.

Klan News