Fermeri Dimitris Marinoglou është i frikësuar se furnizimet me ujë nga Bullgaria fqinje që kanë mbajtur gjallë të korrat e familjes së tij për dekada do të ndërpriten verën që vjen.
Që nga viti 1964, uji nga malet e Bullgarisë ka rrjedhur përgjatë lumit Arda në 50,000 hektarë tokë, sipas një marrëveshjeje midis dy vendeve.
Por, marrëveshja përfundoi Korrikun e kaluar dhe nuk është e qartë nëse do të rinovohet pasi Bullgaria po rishikon nevojat e veta për ujë. Situata nxjerr në pah sa jetike dhe të pasigurta janë bërë burimet ujore në Evropën Jugore, ku ndryshimet klimatike i kanë bërë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe sezonin e shirave më të rralla.
Fermerët grekë të shqetësuar bllokuan qytetin verior të Kastanies duke akuzuar qeverinë se nuk po vepron shpejt. Pasiguria mbi një marrëveshje uji kryeson një listë të gjatë ankesash, duke përfshirë edhe përballjen me kostot e larta të energjisë dhe prodhimit.
“Nëse nuk ka një marrëveshje afatgjatë, kjo do të thotë vdekje për ne në këtë rajon”, thotë Nikos Poptsoglou.
“Për shkak të ndryshimeve klimatike kemi pasur thatësire, nuk kishim shira dhe jemi të detyruar të mbështetemi vetëm në lumin Arda. Nëse Bullgaria thotë se nuk do të na japë ujë, fushat do të thahen”, thotë Poptsoglou.
Zyrtarët në Ministrinë greke të Energjisë dhe Mjedisit thonë se paqëndrueshmëria politike në Bullgari dhe qeveritë e njëpasnjëshme të përkohshme kanë bllokuar bisedimet për rinovimin e marrëveshjes.
Kur u pyet për një marrëveshje, Ministria e Bujqësisë e Bullgarisë tha në një deklaratë: “Është thelbësore që Bullgaria para së gjithash të përmbushë nevojat e veta kombëtare për ujë dhe më pas nevojat e vendeve fqinje.”
Greqia shpreson të nisë një raund të ri negociatash muajin e ardhshëm tani qe ka një qeveri te re në Sofje, por nuk është e qartë nëse një marrëveshje mund të arrihet deri më 1 Maj.
Klan News