Përgjatë këtij sezoni turistik, interes ka patur edhe për zanatet e traditës. Punimet karakteristike në gur të skalitur, drugdhendje, qëndisje, të realizuara plot mjeshtëri nga artizanët në Gjirokastër po tërheqin gjithmonë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.
“Kryesisht janë çiftet dhe moshat e reja që tërhiqen dhe janë shumë të interesuar, vijnë, pyesin madje organizoj edhe momente treguese dhe ju shpjegoj për karakteristikat e shtëpive gjirokastrite”.
Këto vlera të traditës sonë nxitin turistët të përfshihen edhe vetë ne realizimin e punimeve karakteristike për t’i patur si kujtim nga udhëtimi në Gjirokastrën e gurtë.
“Duke ju treguar gjithë detajet e ndërtimit të dhomave të shtëpive ata frymëzohen, ngacmohen nga këto gjëra dhe fillojnë dhe modelojnë vetë me laps një copë dërrasë të vogël, bëjnë një vizatim dhe fillojnë e gdhendin për ta marrë me vete”.
Jashtë vëmendjes së turistëve nuk mbeten as veshjet tona tradicionale.
“Ka turistë të huaj qoftë edhe sporadikë që janë duke kaluar për të vizituar këtë rrugicë ku ndodhem unë kthehen, pyesin për veshjen karakteristike. ajo që i tërheq më shumë është figuracioni, vizualiteti që bën veshja popullore, bëjnë dhe pyetje e kujt zone është, sa kohë duhet për ta punuar, është e vështirë si teknikë, pse është me këto ngjyra”.
Përgjatë këtij viti Gjirokastra ka mirëpritur mbi 150 mijë turistë vendas dhe të huaj, një numër më i lartë vizitorësh krahasuar me vitin e kaluar.
Tv Klan