Vendimet që pritet të merren në Kongres

Një vit përpara zgjedhjeve lokale, socialistët do të futen në një proces zgjedhor në nivel bashkie. Në Kongresin e të shtunës do të miratohet ndërprerja e mandatit të të gjithë kryetarëve të partisë në të 61 bashkitë.

Në projektrezolutën që Tv Klan disponon, e që do të duhet të marrë miratimin e delegatëve të Kongresit të 9 Prillit, thuhet se ky hap hidhet për të përmirësuar dhe bërë më efektiv drejtimin e strukturave të partisë në nivel vendor. Kryetarët e rinj do të zgjidhen gjatë periudhës nga data 1 Maj deri në 15 Qershor 2002.

Ndërkaq, në Kongresin e të shtunës do të miratohen dhe ndryshimet në statut.

Në relacionin që shoqëron projektin e statutit të ndryshuar shkruhet që këto amendime janë të diktuara nga fitorja e mandatit të tretë, pasi qenia gjatë në pushtet e një partie dikton adoptimin e një sjellje të re përballë sfidave qeverisëse.

Veç thjeshtimit të librit të rregullave të socialistëve, që kryeministri mendon që duhet të jetë i kuptueshëm nga e gjithë anëtarësia, një ndryshim thelbësor është ai për të futur një strukture të re në çdo degë partie atë të Sekretariatit Ekzekutiv.

Një strukturë administrative/ekzekutive që zgjidhet nga Sekretariati ekzekutiv i Partisë dhe është përgjegjës për çdo aspekt administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie; i cili përgjigjet njëkohësisht te Kryetari i partisë në Bashki dhe në Sekretariatin Ekzekutiv në selinë qendrore.

Kongresi i të shtunës, veç fjalës së kryesocialistit ka në axhendë dhe një analizë për punën e qeverisë, si dhe sfidat e maxhorancës për zgjedhjen e presidentit, si dhe përgatitja për zgjedhjet lokale 2023.

Tv Klan