Emisioni “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme trajtoi rastin e një punëtori në Pogradec që pësoi aksident në punë dhe që dyshohet se ka rënë viktimë e një skeme makinacioni për të përfituar dëmshpërblim të majmë në gjykatë. Aleko Beqiri, banor i Pogradecit u aksidentua në vendin e punës në vitin 2017. Ai punonte në një fabrikë që prodhon karrige.
Aleko Beqiri përdori ashensorin e objekteve dhe jo atë për punonjësit, e për pasojë theu këmbën pasi u këputën kavot. Punëtori Beqiri u trajtua me të gjithë shërbimet mjekësore pasi ishte i siguruar në punë. Punishtja u kujdes për gjithçka dhe Aleko Beqiri u rikuperua plotësisht. Por, çështja përfundoi në gjykatë, pasi punëtori kërkoi dëmshpërblim. Këtu nisin dyshimet për një skemë të organizuar, sepse çështja transferohet në Gjykatën e Fierit dhe nuk zhvillohet në Pogradec.
Avokati Ardian Dauti e transferoi gjendjen civile të Alekos në Fier, ku kishte njohjet e veta brenda sistemit të drejtësisë; gjyqtarin Roland Hysi dhe psikologen Elona Meçani. Deri tani në dy shkallët e para të gjyqësorit Aleko Beqiri ka fitur të drejtën e dëmshpërblimit në vlerën e 150 milionë Lekëve të vjetra, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës së Lartë.
Edmond Çuni, pronari i punishtes: Në vitin 2017 ka ndodhur një aksident. Është këputur kavo e ashensorit, punëtorin e kishim të siguruar, edhe me firmën e sigurimit teknik. Ka pasur një thyetje të këmbës, e kemi dërguar në spitalin e Pogradecit, pastaj e kemi dërguar në Tiranë. I është bërë rikuperimi i këmbës, është bërë shërimi i plotë i tij. Ndërkohë ne e kemi ndjekur këtu duke i dhënë rrogën disa muaj. Ai bëri shkeljen e rregullave. Pra shkeli rregullat duke pasur parasysh që aty nuk lejohej të hipnin njerëzit. Ai ashensor përdorej vetëm për mall, vetëm për karriket. Ndoshta e ka këputur vetë, nuk e di.
Gazetari i “Stop” i cili udhëtoi drejt Pogradecit, bisedoi edhe me punëtorin Aleko Beqiri, që kishte pësuar aksidentin në punë.
Aleko Beqiri: Isha në fshatin Guras dhe po zbrisja te ashensori, u këput kavo rashë me gjithë ashensor dhe theva këmbën. Gjykatat për mua kanë dhënë, por presim tjetrin. Unë kam dy vjet, çfarë do hanë fëmijët. Presim Gjykatën e Lartë. Më shumë thashë mos vete andej, mos ka punë për gruan. Pastaj e pashë, terezi nuk kishte.
Gazetari: Po gjyqet ku i keni zhvilluar?
Aleko Beqiri: Një e bëmë në Fier, një e bëmë në Vlorë.
Gazetari: Çfarë etapa ke ndjekur në Gjykatën e Pogradecit dhe të Korçës?
Aleko Beqiri: Të parën e fitova. Edhe të Apelit e fitova.
Gazetari: Këtu në Pogradec dhe në Korçë?
Aleko Beqiri: Po.
Gazetari: Si avokat përfaqësues kush ju ka ndjekur gjithë këto kohë?
Aleko Beqiri: Ardian Dauti.
Pronari i punishtes së karrigeve dyshon se e gjithë situata është krijuar nga avokati Ardian Dauti, i cili ka njohjet e tij në Gjykatën e Fierit. Për këtë arsye i kërkoi klientit Aleko Beqiri që të transferojë gjendjen civile në Fier për t’u zhvilluar aty gjyqi. Dhe njohjet e tij në sistemin e drejtësisë, do të bënin që dëmshpërblim të caktohej një shumë e madhe, që më pas do të ndahej mes tyre.
Edmond Çuni, pronari i punishtes: Ka ikur në Fier për përfitim, duke u lidhur me avokatin Ardian Dauti, duke u marrë vesh sepse ky, kemi marrë vesh nga burime të ndryshme, që merret vetë me këtë punë me këto raste të tilla, duke i marrë njerëzit nga qytete të ndryshme dhe i çon në Fier, në Vlorë, në Berat, sepse atje ka njohjet e tij. Edhe këtë çështje e ka ndjekur Roland Hysi, ka qenë edhe ekspertja Elona Meçani psikologia. Z.Hysi në fund të gjithë procesit vendosi, këta e nisën me 50 milionë Lekë të vjetra, e vazhduan me 250 dhe si përfundim e lanë diku te 183 milionëshi të vjetra për të paguar ne. Kjo çështje kaloi në Apel në Vlorë. Apeli Vlorë po përsëri e la në fuqi.
Por emisioni “Stop” ka mësuar se Aleko Beqiri nuk ka jetuar asnjë ditë në Fier dhe as fëmijët e tij nuk janë shkëputur nga shkolla në Buçimas. Gazetari i “Stop” u interesua pranë këtyre dy institucioneve.
Gjendja civile Buçimas:
Nga Buçimasi në Fier ka shkuar nga 28.09.2017. Pastaj këtu ka ardhur në Nëntor 2018, 23 Nëntor 2018. Kur ka ardhur shkresa nga Krimet e Rënda, s’kishte ardhur akoma këtu.
Laert Rusi, drejtor i shkollës “Sami Zgjani”:
Këta nxënës, për vitet që ju kërkoni janë të regjistruar në shkollën tonë dhe kanë ndjekur procesin mësimor pa shkëputje. K.Beqiri vazhdon klasën e 4-t momentalisht dhe në ato vite ka qenë në klasën e dytë, dhe P.Beqiri është në klasën e 7-të dhe momentalisht i bie që në ato vite të ketë qenë në klasën e 5-të. Gjatë kësaj periudhe këta nxënës kanë qenë pjesë e procesit mësimor që kanë ndjekur në institucionin e shkollës 9-vjeçare “Sami Zgjani”.
Nga ana tjetër, vetë Aleko Beqiri dhe bashkëshortja e tij pohojnë se gjithçka është sajuar nga avokati Ardian Dauti, i cili u ka kërkuar atyre më shumë se gjysmat e parave të dëmshpërblimit që do të marrë me vendim gjykate.
Gazetari: Gjithë procedurën e transferimit e ka bërë avokati, z.Dauti?
Aleko Beqiri: Do të ndihmoj tha ai meqë nuk lëvizja dot.
Gazetari: Ai e ka bërë kërkesën edhe në Gjendjen Civile në Fier? Të gjitha procedurat?
Aleko Beqiri: Ai se unë nuk lëvizja dot prej këmbës. E kisha me allçi 6 muaj.
Gazetari: Se i kanë verifikuar në Fier, atje te 15 tetori, ku ke qenë, që ke bërë kontratën, ia sqarova atij burrit, nuk ka jetuar asnjëherë thotë, këtu.
Gruaja e Aleko Beqirit: Po ç’rëndësi ka?! Unë a e kam aksidentin?
Gazetari: Epo ka, por është bërë…
Gruaja e Aleko Beqirit: Unë s’është, se s’shkoj për kot.
Gazetari: Është transferuar çështja në një qytet tjetër, që s’i takonte këtij vendi.
Gruaja e Aleko Beqirit: Po nga e keqja e transferoi ai, se kishte njerëzit e tij.
Gazetari: E kuptoj unë, por…
Aleko Beqiri: Tani si do veni?
Gazetari: Është bërë dallavere, pra. Po më mirë duhet ta pranosh, o vëlla! U bë, kështu, më tha avokati, më tha dhe unë…
Gruaja e Aleko Beqirit: Po shumë mirë e ke…kishte njerëzit e tij ai atje edhe… Më kupton?
Gazetari: Më thuaj të drejtën tani! Sa lekë do merrte Dauti nga ty? Se ai e ka një çikë të rëndë dorën.
Gruaja e Aleko Beqirit: Nuk e di!
Gazetari: 50% ëëë?
Aleko Beqiri: Tashi lëre, mos…
Gazetari: Kot mo kot, se i di unë rastet e atij. Sa? 50% të shumës? Ë? A më shumë?
Gruaja e Aleko Beqirit: E më shumë!
Çështja tashmë është në Gjykatën e Lartë dhe pritet vendimi përfundimtar. Nga investigimi i “Stop” dhe kamerat e fshehta duket qartë se bëhet fjalë për një skemë të ndërtuar nga avokati me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit në shifra të larta përmes vendimeve të favorizuara gjyqësore.
/tvklan.al