Sipas deputetit Ilir Zela, Partia Socialiste nuk duhet të ndahet. Ai kërkon që me anë të platformës së pajtimit, që ka prezantuar, anëtarët e partisë në pushtet të reflektojnë dhe t’i vënë fre hakmarrjes. Thirrja e Zelës vjen në një kohë kur një grupim brenda PS-së ka deklaruar se do të krijojë një parti të re në fillim të shtatorit. Megjithatë, zoti Zela shprehet se ka marrë reagime pozitive për ribashkim nga kolegët e tij në parti.

Ilir Zela: “Fakti që nuk ka patur ndonjë nxitim nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të formalizuar partinë e re është shprehje e një dashamirësie ndaj kësaj thirrje, e një përgjegjshmërie për të ruajtur rrugët hapur, të patur një mundësi për bashkim në PS. Mendoj që e njëjta dëshirë për të gjetur urat e bashkëpunimit duhet të reflektohet edhe nga drejtuesit kryesorë aktualë të Partisë Socialiste, të cilët janë përgjegjës për menaxhimin politik të Partisë Socialiste.”

E megjithatë ish-kryeministri Ilir Meta, drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, prej kohësh tashmë vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim lidhur me disa nga kushtet që ai u ka vënë drejtuesëve të partisë në pushtet si për shembull, anulimin e vendimeve të kongresit të dhjetorit. /tvklan.al