Teksa ndodhet në Nju Jork, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy është shprehur se lufta me Rusinë është “më afër fundit” sesa shumë besojnë dhe u bëri thirrje aleatëve që të forcojnë ushtrinë e Ukrainës. Në një intervistë për ABC News, në programin “Good Morning America”, ai sërish bëri thirrje që aleatët ta mbështesin këtë fakt.
“Unë mendoj se jemi më afër paqes sesa mendojmë. Jemi më afër fundit të luftës. Ne vetëm duhet të jemi shumë të fortë, shumë të fortë”.
Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje vendeve perëndimore të rrisin mbështetjen për ushtrinë ukrainase dhe shtoi se “plani për fitore është të forcojë Ukrainën”.
“Prandaj kërkojmë nga miqtë tanë, aleatët tanë që të na forcojnë. Kjo është shumë e rëndësishme. Putin ka frikë nga operacioni Kursk. Është e vërtetë. Ai ka shumë frikë. Pse? Sepse njerëzit e tij e kanë parë se ai nuk mund t’i mbrojë se ai nuk mund të mbrojë të gjithë territorin e tij”.
Zelensky u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar që të heqin kufizimet e tyre për raketat me rreze të gjatë që i kanë ofruar Ukrainës për të goditur objektiva brenda Rusisë. Presidenti rus Vladimir Putin, ndërkohë, ka paralajmëruar se përdorimi i armëve perëndimore për të goditur objektivat ruse do të shihej si një përshkallëzim serioz.
Ndërkaq Guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro mirëpriti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Uzinën e Municioneve të Ushtrisë Scranton, duke shënuar një moment të rëndësishëm ndërsa ata nënshkruan një marrëveshje midis Pensilvanisë dhe rajonit Zaporizhzhia të Ukrainës.
Zelensky u shpreh se kjo fabrikë po shton prodhimin e predhave të rëndësishme për të ndihmuar përpjekjet e luftës në Ukrainë. Gjatë vizitës në Nju Jork ku mori pjesë edhe në punimet e sesionit vjetor të OKB presidenti ukrainas do të zhvillojë edhe takime në Shtëpinë e Bardhë.
Klan News