Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shprehur gatishmëri për t’i dorëzuar Phenjanit dy ushtarë të kapur të Koresë së Veriut, në këmbim të të burgosurve ukrainas të luftës në Rusi.
“Për ata ushtarë të Koresë së Veriut që nuk dëshirojnë të kthehen, mund të ketë opsione të tjera në dispozicion”, shkroi Zelensky në një postim në “X”.
Më tej, Zelenksy shtoi se atyre që duan ta sjellin paqen më afër duke përhapur të vërtetën për këtë luftë në koreanisht do t’u jepet mundësia.
Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës tha se njëri nga dy ushtarët u tha zyrtarëve se mendonte se do të shkonte në Rusi për “stërvitje” dhe jo në luftë. Atij iu gjet një kartë identiteti ushtarake ruse, e lëshuar në emër të një personi tjetër. Ushtari tjetër nuk kishte dokumente.
SBU-ja tha se dy burrat, të cilët u kapën më 9 Janar, janë në Kiev dhe nën kujdes mjekësor. Ata flasin vetëm koreanisht dhe janë duke u marrë në pyetje me ndihmën e Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut, tha SBU-ja.
Rusia nuk e ka mohuar se shfrytëzon trupat e Koresë së Veriut në luftën e saj kundër Ukrainës. Presidenti Vladimir Putin tha në Tetor se është “vendim sovran” i vendit të tij nëse do të dislokojë ose jo forca të tilla. /REL