Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të cilin e konsideron një mik të Ukrainës. Temë e diskutimit ka qenë Samiti i Paqes për Ukrainën që do të mbahet në Zvicër. Zelensky falenderoi Ramën për konfirmimin e pjesëmarrjes në këtë takim.
Volodimir Zelensky, president i Ukrainës: Kam biseduar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, një mik i madh i Ukrainës, për Samitin e ardhshëm të Paqes dhe e falenderova për konfirmimin që Shqipëria do të marrë pjesë. E informova kryeministrin Rama edhe për situatën e luftës, konkretisht për mbrojtjen e rajonit të Kharkiv. Ne diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në mbrojtje.
Samiti i Paqes për Ukrainën do të zhvillohet në Lucern të Zvicrës në datat 15 dhe 16 qershor. Pritet të marrin pjesë më shumë se 50 liderë shtetesh ndërsa janë ftuar rreth 160 në total. Presidentja e Zvicrës, Viola Amherd deklaroi para disa ditësh që pjesëmarrës do të jenë edhe krerë shtetesh nga Amerika e Jugut, Afrika dhe Lindja e Mesme.
Më 28 shkurt të këtij viti u mbajt një samit i ngjashëm në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe vetë Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky.
Gjatë konferencës së përbashkët me kreun e qeverisë shqiptare u nënshkrua “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit”. Ndër të tjera dy liderët diskutuan edhe mundësinë që Shqipëria dhe Ukraina të bashkëprodhojnë armë dhe municione.
Klan News