Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje ish-presidentit Hashim Thaçi që të marri pjesë në ceremoninë e varrimit të babait.

Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale.


Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh indinjatën duke e quajtur vendimin si të padrejtë e jo human. Ndërkaq, ata i kanë bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa.

Haxhi Thaçi ka ndërruar jetë të dielën në mbrëmje. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë në gjendje të rëndë shëndetësore, ku u vizitua ditët e fundit, vetëm për 3 orë, nën masa të rrepta sigurie, nga i biri Hashim Thaçi.

Komuna e Skënderajt ka njoftuar se ceremonia e varrimit të babait të ish-Presidentit të Kosovës do të zhvillohet të Martën më 18 Mars, në orën 15:00.

Tv Klan