Ndërsa kanë mbetur dhe dy ditë afat sipas kodit të ri zgjedhor për formatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njëri prej anëtarëve aktual të këtij institucioni që monitoron procesin zgjedhor Dodë Prenga, në një intervistë për televizionin Klan, shprehet se nuk ka kohë për të humbur.
Dodë Prenga: “Duke rrethuar atë çfarë është shkruar në ligj, afati i formatimit të KQZ-së përcaktohet 30 ditë pas dekretimit, ose shpalljes vetiu nëse nuk dekretohet ligji. Është data 29, megjithatë koha nuk është në luksin e saj për t’u shpenzuar sa më shumë kalon nuk është gjë e re për ta thënë, por të paktën për zgjedhjet dhe sidomos për zgjedhjet që kërkohen standarde mendoj që duhet të nxisë veprime që të korrigjojnë kohën e humbur deri tani.”
Ndërkaq të parat propozime për anëtar në KQZ vijnë nga radhët e republikanëve, aleati më i ngushtë i demokratëve.
Nëpërmjet anëtarit të grupit kuvendor Arjan Madhi, ky formacion partiak bëri publik dy kandidaturat për anëtarin e 5 të KQZ-së.
Arjan Madhi: “Partia Republikane jo vetëm e formalizoi propozimin e saj, i cili përmban emrat e kandidatëve zotërinjtë Arben Braçe dhe Klemend Zguri, por njëkohësisht për propozimin e saj kërkoj dhe mbështetjen e deputetëve të tjerë të partive të mazhorancës qeverisëse.”
Në bazë të kodit të ri zgjedhor, KQZ tashmë do të përbëhet nga 7 anëtar, ku 2 i takojnë PD, 2 asaj socialiste, anëtari i 5 zgjidhet nga kandidaturat e propozuara nga grupime deputetësh të shumicës parlamentare, përjashtuar këtu partinë më të madhe të shumicës. Ndërsa anëtari i 6 përcaktohet nga grupime deputetësh të opozitës parlamentare përjashtuar partinë më të madhe. Anëtari i 7 që është njëkohësisht dhe kryetari i KQZ, i takon partisë më të madhe të mazhorancës./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro