Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, apeli për një proces të lirë e konform standardeve ka mbërritur nga KQZ, kryediplomati i SHBA në Tiranë John Withers dhe kryetari i prezencës së OSBE-së Robert Borsch.
Mesazhi u dha gjatë prezantimit të programit për rezultatet direkte të zgjedhjeve, një projekt ky i dy Organizatave Jo Qeveritare asaj ECA dhe KRIIK, i financuar nga USAID-i.
Për numrin një të KQZ-së, Arben Ristani mesazhi për një proces të besueshëm më 28 qershor është elementi bazë jo vetëm i institucionit të drejtuar prej tij por dhe projektit të ECA-s që synon të sigurojë një kontroll të dyfishtë të rezultatit zgjedhor.
Arben Ristani: “Duke qenë të bindur për të krijuar një proces sa më transparent kemi qenë të dëshiruar për të pasur bashkëpunime të tilla. Kemi qenë të dëshiruar për të akredituar sa më shumë vëzhgues, kemi qenë të dëshiruar për të pasur projekte të tilla si i ECA-s dhe i KRIK-ut, të cilat realizojnë pikërisht atë kontroll të dyfishtë mbi rezultatin.”
Ambasadori amerikan John Withers ndërsa vlerësoi punën e KQZ-së për transparencë në këto zgjedhje, e vuri theksin tek mos përsëritja e praktikave të kaluara që sipas tij kanë cenuar standardet e proceseve elektorale në Shqipëri.
John Withers: “KQZ meriton të përgëzohet për një inkurajim të një niveli të madh të transparencës në këto zgjedhje. Gjithashtu dhe për përpjekjet e mëdha që ka bërë për ta bërë vendin gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Në qoftë se dikush ju kërkon që të blejë votën tuaj dhe nesh dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar, nëse dikush përpiqet t’ju frikësojë duke iu kërcënuar me vendin e punës që ju mbani apo në mirëqenien e familjes tuaj. Në qoftë se dikush ju kërkon që të fotografoni fletën tuaj të votimit që ai ta dijë se si ju votuat, nëse dikush përpiqet që të ndryshojë në pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara në mënyrë që të votojë shumë herë. Nëse policia apo çdo zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyre, nëse dikush përpiqet të vërë dorë mbi kutitë e votimit apo të prekë procesin e numërimit duhet të ndieni që të gjithë këto veprime janë paligjshme dhe ju kërkoj që t’i raportoni ato tek vëzhguesit.”
Edhe kreu i prezencës së OSBE në Tiranë Robert Bosch në të njëjtën linjë me zotin Withers e vuri theksin tek rëndësia e standardeve në procesin zgjedhor si dhe i ftoj qytetarët të tërheqin kartat e ID.
Robert Bosch: “Le të mos ketë më histori votimesh familjare apo episode ku votuesit instruktohen që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre. Kësaj radhe këto zgjedhje do të duhet të funksionojnë.”
Ndërsa për drejtorin ekzekutiv të agjencisë për administrimin e zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, njëkohësisht dhe organizues i këtij takimi, projekti i financuar nga USAID-i nuk ka për qëllim mbivendosjen e rezultateve me ato të KQZ, por synon të rrisë transparencën e procesit elektoral.
Ilirian Celibashi: “Ky proces synon as më shumë dhe as më pak se sa të rrisë transparencën e këtij procesi, të sjellë në interes publikut për rezultatin mbi procesin e numërimit të fletëve të votimit dhe rezultatin e zgjedhjeve.”
Ky projekt ka angazhuar në 66 qendrat e votimit në 12 qarqet e vendit 450 vëzhgues vendor. Ndërkaq karta e vëzhguesit i është dhënë nga KQZ i dhe ambasadorit Withers së bashku me 31 diplomatët të ambasadës së SHBA-së në Tiranë./tvklan.al