Partia Socialiste propozon që në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm të aplikohet votim dhe numërim elektronik në 3 qarqe. Në një letër që Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve u dërgoi të gjitha partive një javë më parë propozohej që ky proces mund të mbahej vetëm në qarqet e Elbasanit dhe Durrësit, por partia që qeveris vendin kërkon që procesi të shtrihet edhe në qarkun e Tiranës.
Në një letër të Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në selinë rozë, Damian Gjiknuri, argumentohet se Tirana është qarku më i madh në vend dhe prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh, 37 në listat shumë-emërore të hapura. Kjo sipas socialistëve do të krijonte vështirësi në administrim nga votuesit dhe do të krijonte pengesa objektive. Sipas PS, votimi elektronik në Tiranë do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit, por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.
Një tjetër argument sipas socialistëve është edhe aplikimi i votimit elektronik në njësinë 10 në zgjedhjet e vitit 2021 dhe se Tirana ka kushte optimale sa u takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës. Madje PS sugjeron që nëse nuk do të jetë i munduar aplikimi i votimit elektronik në 3 qarqe, ai të realizohet të paktën vetëm në Tiranë. KQZ u ka lënë afat partive politike deri në 19 tetor të kthejnë përgjigje. PD, partia më e madhe në opozitë nuk është shprehur ende për këtë çështje.
Tv Klan