Zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele në Gjermani rikthejnë kristiandemokratët dhe socialkristianët në pushtet pas rreth 4 vitesh në opozitë. Kandidati i tyre për kancelar, Fridrih Merc në fjalimin e fitore tha se do të nisë shumë shpejt negociatat për formimin e koalicionit qeverisës.

Siç duket edhe në këtë ndarje të vendeve në parlamentin e ri, bazuar tek parashikimet e rezultateve pas mbylljes së kutive të votimit në orën 18:00, kristiandemokratët pritet të mos e arrijnë dot të vetëm shumicën prej më shumë se 316 deputetësh.
Koalicioni më i mundshëm është me socialdemokratët e kancelarit aktual Olaf Scholz, për të cilin rezultati ishte i hidhur pasi partia e tij duket se ka përfunduar e treta, një prej rezultateve më të dobëta në histori. Scholz pritet të largohet se shpejti nga drejtimi i paritsë.
Festë pati edhe tek radikalët e djathtë të Alternativës për Gjermaninë. Ndonëse kristiandemokratët ua mbyllën atyre derën e bashkëpunimit, bashkëkryetarët e saj u shprehën të hapur për negociata. Ata përllogaritet të kenë arritur rekord duke u renditur për të parën herë në 12 vite ekzistencë, forcë e dytë politike me gati 20% të votave.
Në parlamentin e ri përfaqësohen 6 parti politike, ndërsa do të qëndrojnë jashtë këtë legjislaturë liberaldemokratët që u bënë shkak që me tërheqjen e tyre nga koalicioni me socialdemokratët, zgjedhjet e parashikuara në Shtator, të zhvilloheshin në Shkurt.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje përllogaritet në 84%, në dukje më e larta që prej ribashkimit të Gjermanisë në 1990-ën.
Tv Klan