Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mblidhet të martën në orën 16:30 për të miratuar afatet procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë.
Sipas dekretit të Presidentit Bajram Begaj këto zgjedhje do të zhvillohen në datën 4 Gusht 2024.
Sipas projektvendimit të publikuar nga KQZ për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Himarës, fushata elektorale do të hapet më datë 26 Korrik. Në këtë mënyrë partitë politike do të kenë vetëm 9 ditë afat për fushatën zgjedhore për të shpalosur programet politike.
Projektvendimi i KQZ arsyeton se duke qenë se afati 30 ditor nga dekretimi i zgjedhjeve është shumë i ngushtë, kohëzgjatja e fushatës zgjedhore prej 9 ditësh kushtëzohet nga afati i krijimit të KZAZ-ve, regjistrimit të subjekteve zgjedhore, komiteteve nismëtare, koalicioneve dhe kandidatëve.
Përsa i përket afateve për kandidatët sqarohet se Kërkesa për Regjistrim si subjekte zgjedhore duhet të paraqitet në KQZ nga partitë politike, jo më vonë se data 15 Korrik 2024. Në të njëjtën datë paraqesin në KZAZ kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, edhe komitetet nismëtare.
Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë jo më vonë se data 19 Korrik 2024.
Ndërsa dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ, jo më vonë se data 22 Korrik 2024.
Klan News