Partitë shqiptare në Maqedoni në mënyrë paradoksale kanë filluar fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale dhe presidenciale të 22 Marsit.
Edhe pse sot është dita e dytë e fushatës partitë ende nuk kanë shpalosur para syve të opinionit platformat e tyre për këto zgjedhje.
Platformat zgjedhore të partive nuk mund të gjenden as në ueb faqet partiake. Edhe pse është hera e parë që fushata të fillonte në mënyrë të këtillë partitë vlerësojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëshim të madh, në arsyetimin se platformën e sqarojnë në takime të drejtpërdrejta me qytetarët.
Ermira Mehmeti: “Por në fakt ne kemi nisur me karvanët parazgjedhore dhe në të gjitha karvanët prezantojmë ato që janë prioritete kryesore për secilën bashki ose secilën komunë siç e quajmë në fjalorin tonë”.
Arjanit Hoxha: “Atëherë fushata jonë zgjedhore është një fushatë, e cila për herë të parë edhe siç mund të shihet nga deri tani paraqitet në skenën politike në Maqedoni. Është një fushatë më tepër pro evropiane dhe me stil amerikan. Nuk kemi planifikuar fushatë të tipeve të mitingjeve të mëdha pasi që e shohim të arsyeshme që të jemi më pranë qytetarëve”.
Ndërkaq zëdhënësi i Partisë Demokratikë Shqiptare, Adriatik Imeri, është arsyetuar se platforma e kësaj partie është e gatshme, por nuk është publikuar për shkaqe teknike, ndërkohë sot në Tetovë ambasadori amerikan në Shkup, Philip Reeker, ka takuar liderët e partive shqiptare në Maqedoni.
VOA ka përcjellë porosinë e presidentit amerikan, Barack Obama, për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Këto zgjedhje do të monitorohen nga vëzhgues ndërkombëtarë, andaj në to nuk ka vend për përdorim të dhunës dhe armëve. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu