Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë temë e mbrëmjes së sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan. I ftuar për të folur lidhur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve pjesë e panelit ishte edhe kryetari i PDSH, Menduh Thaçi.
Gjatë fjalës së tij Thaçi vuri theksin tek zgjedhjet presidenciale, pasi në balotazh duhet të dalin të votojnë 40% e qytetarëve, ku shprehet se partia që pretendon të qeverisë vendin nëse nuk bën koalicion me shqiptarët rrezikon moszgjedhjen e Presidentit.
Ndër të tjera Menduh Thaçi tha se çështja kryesore është se çfarë do të bëjnë shqiptarët në raport me zgjedhjen e Presidentit pasi mungesa e tyre në zgjedhje vendos në pikëpyetje të madhe zgjedhjen e Presidentit.
Blendi Fevziu: Pas dy mandatesh thuajse të LSDM duket që VMRO është në revansh të plotë. Çafrë po ndodh, pra po duket se po shkon drejt një rrotacioni Maqedonia apo jo?
Menduh Thaçi: Po, opozita maqedonase i fiton zgjedhjet, por në Maqedoni ka një çështje që karakterizon zgjedhjen e Presidentit pasi duhet që në balotazh të dalin të votojnë 40% e qytetarëve, por kjo është e pamundur pa pjesëmarrjen masive dhe të shqiptarëve. Fjalori politika, programi që ka përdorur opozita për mos të thenë ndonjë fjalë të rëndë është tërësisht nacionalist (kundër shqiptarëve) dhe 49% është dalja në Maqedoni në raundin e parë dhe në atë 49% kemi 25% shqiptarë dhe partia që pretendon të qeverisë vendin nëse me Shqiptarët nuk bën ndonjë marrëveshje ata shkojnë drejt rrezikimit të moszgjedhjes se Presidentit.
Blendi Fevziu: Çfarë risqesh ka fitorja e VMRO dhe çfarë sjell një qëndrim në pushtet të LSDM që duket i pamundur.
Menduh Thaçi: Nuk është ashtu sepse kandidati i katërt që ka afër 83 mijë vota, është një ish-funksionar i LSDM-së.
Blendi Fevziu: Që mund të bashkojë votat me LSDM?
Menduh Thaçi: Nuk e di a do të ndodh kjo, por zgjedhjet presidenciale është shumë e vështirë të projektohen në zgjedhjet parlamentare pasi dalja do të jetë me e madhe dhe çështja kryesore është se çfarë do të bëjnë shqiptarët në raport me presidentin. Si do të deklarohen dy koalicionet kryesore pasi në mungesë të shqiptarëve zgjedhja e Presidentit është një pikëpyetje e madhe. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare mendoj që me të drejtë VMRO krijon një famë që i ka fituar zgjedhjet, por sipas analizave të mia ata nuk janë më shumë se 49 apo 48 deputetë dhe kjo nuk u garanton atyre fitoren.
Blendi Fevziu: Cilat janë pikat kryesore të VMRO si program?
Menduh Thaçi: Është një program i ngritur në etiketim të liderit të BDI, Ali Ahmeti dhe BDI që ata janë e keqja më e madhe e Maqedonisë. Ata bëjnë një truk që të mos duken nacionalist dhe racist. Fjalën shqiptarë e zëvendësojnë me emrat e politikanëve shqiptarë dhe partisë më të madhe shqiptare. Mendoj që kjo është retorikë propagandë e tolerueshme dhe unë pres që ata shumë shpejtë ta ndryshojn këtë qasje. Unë mendoj që zgjedhjet paralamentare do të kenë një rezultat krejt ndryshe dhe mundësia e vetme është koalicioni me frontin tonë, me Frontin Europian.
/tvklan.al