Përderisa qeveria bëhet gati për të festuar 8-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, opozita shqiptare paralajmëron bojkot të Parlamentit të Maqedonisë me arsyetim se kjo marrëveshje nuk është duke u implementuar në praktikë.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, deklaroi se partia tij javën e ardhshme do ta fillojë bojkotin e parlamentit për shkak se pushteti nuk ka treguar gatishmëri për pranimin e Marrëveshjes së re mes shqiptarëve dhe maqedonasve që e propozon partia e tij.
Menduh Thaçi: “Janë pyetje procedura teknike, bojkoti sipas të gjitha gjasave 100% do të ndodhë shumë shpejt edhe atje në javën që vjen”.
Thaçi ka paralajmëruar se në rast se edhe më tej nuk pranohet marrëveshja e re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, do të kërkojë nga kryeministri shqiptar Sali Berisha, që Shqipëria me veto ta pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Në ndërkohë zëvendës kryeministri përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Abdylhaqim Ademi, shpalos radhitjen e manifestimeve që do të organizohen për shënimin e 8 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Abdylhaqim Ademi: “Do të fillojmë me promovimin e librave të botuara nga ana e qeverisë, librave në gjuhën shqipe, do të shpërndajmë vendimet për kandidatët e pranuar në konkursin e hapur nga sekretaria për implementim të marrëveshjes së Ohrit, do të fillojmë punimet e ndërtimit të klinikës në klinikën e qytetit të Tetovës, do të hapim shkollën fillore në Zajas”.
Edhe përfaqësuesit e Bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni vlerësojnë se marrëveshja e Ohrit duhet të jetë modeli në bazë të së cilit duhet të rregullohen marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
Ambasadori amerikan Filip Riker, ka deklaruar se nuk ka nevojë për Marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Ndërkaq ambasadori evropian Ervan Fuere, thotë se bojkoti i institucioneve nuk është zgjidhje edhe pse ka vlerësuar se një pjesë e madhe Marrëveshjes së Ohrit që ka të bëjë me të drejtat e shqiptarëve ende nuk është implementuar.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, me çka u ndërpre konflikti gjashtëmujorë mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave të armatosura maqedonase.
Shqiptarët dhe maqedonasit prej atëherë pa ndërpre janë në polemika të pa ndërprera lidhur me nivelin e implementimit të kësaj marrëveshje.
Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al