Maqedonia duhet ta shfrytëzojë disponimin pozitiv që ka Kosova ndaj saj dhe sa më shpejt të vendosë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën. Kjo është porosia e takimit mes kryetarit të PDSH-së Menduh Thaçi dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj që u zhvillua në selinë e PDSH-së në Tetovë.
Kryetari i PDSH-së ka adresuar akuza të rënda ndaj qeverisë maqedonase për shkak të zvarritjes së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Menduh Thaçi: “Unë dhashë shqetësimin dhe pa kënaqësinë tonë si parti në lidhje me një politikë shumë të gabuar dhe dioteskë, ç’ka qeveria e Maqedonisë në mos vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Po ashtu i potencova zotit Haradinaj se për ne është e pakuptueshme kjo politikë e kësaj qeverie që shkakton armiqësi me të gjithë fqinjët e Maqedonisë. Kërkojmë dhe mendojmë që shumë shpejt qeveria e Maqedonisë duhet ta ndërroj këtë qasje politike. Duhet të shfrytëzohet në maksimum ky orientim miqësor i Kosovës dhe Maqedonisë dhe duhet të normalizohen raportet e të vendosen marrëdhëniet diplomatike.”
Përveç çështjes së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës, Thaçi dhe Haradinaj kanë biseduar edhe rreth pozitës së shqiptarëve në rajon dhe procesit të integrimeve euroatlantike.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova përkrah integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE-në.
Ramush Haradinaj: “Ne e shfrytëzuam mundësinë edhe njëherë me vlerësu punët dhe bashkëpunimin, por po ashtu edhe me pa punët që do të ndodhin në të ardhmen së bashku. Presim që shqiptarët, por edhe vendet tona të ecin drejt integrimeve euroatlantike, Europiane dhe NATO-s dhe kështu definitivisht jeta jonë dhe zhvillimet tona të jenë dukshëm më të lira dhe më të mira se sa që i kemi në këtë kohë.”
Takimi Thaçi-Haradinaj ishte në vazhdën e takimeve të liderëve të partive të djathta shqiptare në rajon. Në kuadër të këtyre takimeve ata më herët janë takuar edhe me kryeministrin shqiptar Sali Berisha.Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al