Kërkesa për federalizimin e Maqedonisë po fiton përkrahje gjithnjë e më të madhe në mesin e politikanëve shqiptarë në Maqedoni, pasi kësaj ideje është bashkëngjitur edhe Partia Demokratike Shqiptare si parti shqiptare më e madhe në opozitë.
Kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, madje ka vlerësuar se federalizimi është forma e vetme që të mbijetojë Maqedonia.
Menduh Thaçi: “Maqedonia përfundimisht nuk mund më të ekzistojë si shtet unitar. O do të merret vesh me shqiptarët që të bëjnë shtetin e përbashkët, të bëjnë federatë, konfederatë apo diçka tjetër, ose nuk ka besim.”
Mirëpo, ideja për federalizim nuk përkrahet nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, aktualisht parti më e madhe shqiptare në Maqedoni.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka vlerësuar jo serioze kërkesën e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi.
Ali Ahmeti: “Zoti Menduh Thaçi në politikë është me afat të skaduar dhe nuk besoj që ka qytetarë shqiptarë në Maqedoni që do të gëlltisë ndonjë ushqim nga këto ushqime me afat të skaduar.”
Ideja për federalizim të Maqedonisë daton që nga pavarësimi i Maqedonisë nga federata jugosllave.
Mirëpo, deri tani kjo ide është promovuar vetëm nga parti më të vogla shqiptare, të cilat nuk kanë përfaqësues të vet në parlament. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al