SHBA është në ethet e garës presidenciale për të zgjedhur se cili mes Donald Trump e Kamala Harris do të marrë postin e presidentit të 47-të. Në programin “Rudina” në Tv Klan, gazetarja e Klan News, Enita Mema bën një analizë të të dy kandidatëve për fushatën e tyre. Mema evidenton avantazhet e secilit në këtë garë të vështirë, me sondazhe që kanë parashikuar rezultate të ngushta duke e bërë të pamundur përcaktimin se kush kryeson.
Enita Mema: Trump është një biznesmen shumë i fuqishëm. Duke qenë një biznesmen shumë i fuqishëm, ai i rikthehet vlerës ekonomike në radhë të parë, pra gjatë kohës së presidencës së tij taksat e amerikanëve nuk u rritën, nuk ndien luhatje amerikanët, nuk patën luftëra. Kjo është një pikë e fortë e Trump-it le të themi dhe ku ai ka qëndruar fort. Një tjetër gjë shumë e fortë, ai sigurisht ka politikat kundër emigracionit të paligjshëm, një pikë që e ka përmendur shumë herë në fushatat e tij elektorale…
Rudina Magjistari: Kundër abortit.
Enita Mema: Kundër abortit, padyshim por Trump ka zemrën e Amerikës, pra shtresën e mesme dhe të ulët dhe qëndron shumë më tepër se Kamala Harris në ato vlerat tradicionale të familjes, të qytetarit, të shtresës së mesme amerikane. Edhe harta e votave, e pëlqimeve sipas sondazheve të Donald Trump dhe Kamala Harris prandaj është e shpërndarë në mënyrë të tillë sepse Trump ka pikërisht pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po luftohet fort në Pensilvani.
Rudina Magjistari: Është një garë kaq e afërt.
Enita Mema: Është shumë e afërt dhe është pikërisht Pensilvania dhe Uiskonsin që do ta vendosin.
Rudina Magjistari: Pikat e forta në fushatën e Kamala Harris?
Enita Mema: Kamala Harris ka industrinë pas saj, është pro abortit, do të ndryshojë sepse është një çështje shumë e ndjeshme. Gjithashtu është zotuar që të ndryshojë drejtimin e luftërave dhe është për mbylljen e tyre natyrisht, pavarësisht se deri në këto momente nuk ka ndodhru asnjëherë asnjë gjë e tillë, ndërkohë që ajo është zv/presidente dhe ka lobuar shumë tek të rinjtë, te moshat e reja dhe veçanërisht te gratë, shfaqet me ide më inovative dhe është më pro inovacionit. Kjo është një ndër pikat e saj të forta dhe prandaj ka fituar një popullaritet të madh./tvklan.al