Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Padia gjyqësore e zëvendës presidentit amerikan Al Gore, në gjykatën e Floridas, do të kompletohet brenda një jave, por republikanët tashmë janë të bindur, që kandidati i tyre Bush ka fituar dhe iu duket pa vlerë një tratativë e tillë gjyqësore. Të dyja palët vazhdojnë daljet e tyre publike me opsionet e tyre.

Al Gore ka deklaruar sot: “Këtë mëngjes, ne i kemi propozuar gjykatës së Floridas, një plan për të pasur një numërim të saktë të çdo vote në Florida. Propozimi ynë është i qartë, na jepni një javë kohë t’iu japim rezultatin e saktë të votimit në Florida”.

Ndërsa zëdhënësja e Bushit ka deklaruar se: “Një propozim i tillë, nga ana e demokratëve, s’është asgjë tjetër veçse një tentativë për të mos pranuar rezultatin”.

Bush u shpall fitues, nga sekretarja e shtetit të Floridas, Harris, pasi udhëhiqte me 537 vota përpara Gorit dhe kjo i jep automatikisht 25 vendet e kolegjit elektoral, duke i dhuruar dhe presidencën amerikane. Shtëpia e Bardhë ndërkohë, po bëhet gati për të pritur shefin e ri të saj, i cili do të zyrtarizohet në 12 Dhjetor./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori