66 delegatë do t’i drejtohen Asamblesë Zgjedhore të Federatës së Futbollit që do të zhvillohet në Durrës, për të votuar për presidentin.

3 janë kandidaturat. Presidenti aktual Armand Duka kërkon mandatin e 5 dhe sfidohet nga rivali kryesor, deputeti socialist, ish sekretar organizativ i PS, Bashkim Fino, si dhe ish arbitri Shpëtim Hala. Nga 66 delegatët me të drejtë vote në asamble 54 i përkasin klubeve të futbollit të Superligës, kategorisë së parë dhe të dytë.

Ndërsa 12 janë shoqatat rajonale të futbollit, minifutbollit, shoqata e arbitrave trajnerëve dhe mjekëve sportivë.

Një pjesë e mirë e rreth 25 klubeve do të përfaqësohen nga kryetarët e bashkive të qyteteve, ndërsa pjesa tjetër nga presidentët.

Gara për kreun e FSHF është ndezur së tepërmi veçanërisht mes kandidatëve Duka dhe Fino.

Ka patur akuza dhe kundërakuza nga të dy palët. Ndoshta kjo ka sjellë edhe rritjen e masave të sigurisë në ambientet ku do të mbahet asambleja.

Veç shërbimit të një policie private të kërkuar për të siguruar të gjithë eventin është kërkuar edhe ndihma e Policisë së Shtetit, madje ka zëra se për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve do të angazhohen edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

I gjithë procesi zgjedhor do të monitorohet nga 2 përfaqësues të UEFA-s dhe një i FIFA-s. Ditë më parë zv/Presidenti i Organizmit Europian të Futbollit erdhi në Shqipëri dhe pas një takimi me kryeministrin lëshoi mesazhe të qarta kundër përfshirjes së politikës në këtë proces zgjedhor.

Tv Klan