Bashkimi Evropian duhet të mbledhë forcat, të tregojë kurajën e duhur dhe t’i largojë të gjitha pengesat të cilat qëndrojnë në rrugën e shteteve të Ballkanit perëndimor për inkuadrimin e tyre drejt Europës, shkruan “Financial Times”.
Sipas gazetarit Tony Barber, Ballkani ka një rëndësi të madhe strategjike, por nga ana tjetër është i brishtë dhe ka nevojë për integrimin evropian. Pengesat për këto ambicie sipas gazetës londineze vijnë kryesisht nga vende si Kroacia, e përfshirë në një konflikt kufitar me Slloveninë, bllokada e Holandës ndaj Serbisë për arrestimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladic dhe përplasjet mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit.
Sipas gazetës, këto konflikte nuk duhet të pengojnë zgjerimin e mëtejshëm me vendet e tjera, sepse nëse Ballkani ndihet i padëshiruar atëherë do të jetë Bashkimi Evropian ai që do të paguajë një çmim të lartë.
Duke ndërlidhur rëndësinë strategjike për anëtarësimin e rajonit në bllok, gazeta “The Guardian” vëren se konfliktet ballkanike po ziejnë dhe janë gati në të shpërthyer. Këtë konstatim gazeta e bazon tek përplasja mes Kosovës dhe Serbisë në Këshillin e Sigurimit.
Komisioneri evropian për zgjerim, Oli Rehn, kohë më parë deklaroi se perspektiva evropiane edhe më tej mbetet spirancë e stabilitetit në Evropën Juglindore, por “Guardian” paralajmëron për një humbje durimi në rajon jo vetëm nga politikanët por edhe vetë populli i tij./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle