Prej vitesh i boshatisur dhe i braktisur nga jeta, “Hotel Dajti” është krejtësisht korniza simbolike që mbledh brenda vetes punimet e Bienales së katërt të Artit Bashkëkohor të Tiranës, që çel episodin e saj të parë të prezantimit të 20 artistëve të huaj e vendas.

Edi Muka: “Sivjet për herë të parë Bienalja zgjerohet, nuk është më vetëm Bienale e artave pamore, por do të jetë dhe Bienalja e arkitekturës dhe e zhvillimit urban. Ka dhe një artistes të cilët kanë ardhur në Tiranë dhe kanë prodhuar, kanë bërë punën në Tiranë pikërisht brenda në mjediset e “Hotel Dajtit”, të frymëzuar nga kjo ç’ka kanë gjetur këtu, të frymëzuar nga Tirana dhe nga Shqipëria. Është rasti i piktorit tepër të njohur gjerman sot Franz Ackerman, si dhe artistit suedez Oskar Munerud i cili ka një punë në proces.”

Veprat e prezantuara kudo nëpër mjediset e hotelit të lënë pas dore, marrin një tjetër përmasë duke përçuar bashkë me mediumet artistike, instalacion, video, pikturë murale, apo skulpturë, transformimin dhe natyrën komplekse të realitetit që jetojmë. Artisti gjerman Franz Ackerman është inspiruar për veprën e tij murale “Plateja shqiptare” pikërisht nga ky hotel dhe mjediset shqiptare.

Franz Ackerman: “Nga përvoja ime kam kuptuar se shumë njerëz dinë shumë pak për vendet e tjera, nuk fillojnë punën pa e njohur vendin, pa udhëtuar e mësuar për të. Sigurisht duket që është një vend që vjen pas shumë vitesh komunizëm, e sheh këtë rreth e qark. Gjithashtu një vend që po ecën shpejt drejt progresit, po ta shihni edhe puna ime është e tillë, që demonstron se informacioni tashmë hyn në Shqipëri dhe del nga Shqipëria.”

Bienalja e Tiranës do të prezantojë deri më 22 tetor, në mjediset e “Hotel Dajtit”, por edhe në hapësirat e kryeqytetit punimet e 60 artistëve nga 30 vende të botës, të ndara në tre episode, duke e kthyer Tiranën në një ekspozitë të madhe të Artit Bashkëkohor./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani