Problemi i Bardhit me apartamentin duket se do të marrë fund shumë shpejt. Gjatë bisedës telefonike në “Shihemi në Gjyq” me kushëririn, Blerim Miraka u shpjegua se kontrata e apartamentit të parë, të vitit 2012 u revokua dhe për këtë, Bardhi kishte paguar 37 mijë euro.
Në kontratën e dytë, ai nuk i ka marrë mbrapsht paratë dhe as nuk ka hyrë në apartamentin e ri të premtuar, i cili ka vlerë 50 mijë euro. Vetë Blerimi pohoi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se kanë rënë dakord që Bardhi të marrë mbrapsht vetëm paratë. Për këtë, ai vendos një afat kohor.
Eni Çobani: Thoni këtu publikisht dhe biem dakord, në çfarë date të qershorit ju ktheni shumën 50 mijë euro zotit Bardhi Miraka? Po të dëgjojmë publikisht.
Blerim Miraka: Publikisht, deri në 18 qershor, unë e di shumë mirë ku i kam lekët për të marrë.
Eni Çobani: 18 qershor dëgjova apo jo? Në 18 qershor unë do të jem sërish në “Shihemi në Gjyq” dhe do të deklaroj këtë përfundim të kalvarit të zotit Bardhi.
Blerimi shton se ka pritur vetëm lirimin e parave për shkak të një vendimi gjykate dhe do ta paguajë shumë shpejt Bardhin. Ndërkohë, vëllai i tij Përparimi që ndodhej në telefonatë, pak më parë tha se nuk ka shkuar ndonjëherë te noteri ku kanë bërë kontratën. Më pas, ai u kujtua dhe u shpreh se në të vërtetë kanë shkuar diku, por nuk e mbante mend emrin e noterit. Më në fund, kjo qartësohet dhe rezuton se edhe Përparimi është në dijeni të plotë të kontratës.
Eni Çobani: Ju mbani mend që keni qenë te zoti Lorenc Daka, te noteri?
Përparim Miraka: Unë thashë që kam qenë te noteri, por nuk gënjej dot, nuk e di, kam qenë me Bardhin.
Eni Çobani: Deri tani më the që s’kam qenë fare.
Përparim Miraka: Kam qenë njëherë në Tiranë, nuk e mohoj, kam qenë me vëllanë dhe me Bardhin.
Sa i përket problemit me Altinin, djalin e xhaxhait që e kishte thirrur në program për 15 mijë eurot borxh, Bardhi thotë se do t’ia kthejë sapo t’i shlyhet borxhi./tvklan.al