Vetëm pak orë ka zgjatur arratia e 43-vjeçarit, Gerald Shehu që shihni në foto, i dyshuar si autor i pengmarrjes e më pas edhe i gjuajtjes me armë zjarr të 31-vjeçarit nga Tirana, Eraldo Nevruzi, i cili punonte si recepsionist në një hotel në Dhërmi .
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth 30 minuta pas mesnatës te kësaj të enjte në ambientet e hotelit “Grecia”, konkretisht në dhomën e stafit.
Ka dyshime se fillimisht mes tyre ka patur një përplasje verbale që më pas ka degraduar deri në përdorimin e armës.
Pasi e ka qëlluar, dyshohet se autori, që është bashkëpronar i hotelit, e ka marrë 31-vjeçarin dhe është larguar me një automjet tip “Audi Q7” ngjyrë e bardhë. Sipas policisë makina me targa angleze është gjetur dhe sekuestruar pas disa orësh në lagjen nr.4 në Sarandë.
Dyshohet se Gerald Shehu e ka fshehur trupin e 31-vjeçarit dhe me pas është larguar drejt Greqisë me rrugë tokësore.
Ishin punonjësit e hotelit që kanë denoncuar rastin, çka vuri në lëvizje policinë e cila identifikoi autorin dhe e lokalizoi atë në Greqi, ku dhe është vënë në pranga në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u arratisur drejt Anglisë.
Policia po kryen kontrolle në zonën përreth për gjetjen e 3-vjeçarit, që ka dyshime të ketë vdekur.
Policia dhe prokuroria po analizojnë kamerat e sigurisë, ku ka lëvizur autori pas ngjarjes.
Deri në këtë fazë hetuesit po verifikojnë disa pista të mundshme për zbardhjen e ngjarjes. Mes tyre dhe atë të një konflikti banal.
Për dokumentimin e plotë policia njoftoi se janë pyetur 29 persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Vetë autori rezulton të jetë shtetas shqiptar po banues në Angli. Për vënien e tij përpara drejtësisë shqiptare, policia e shtetit dhe Interpol Tirana kanë nisur komunikimet me palën greke.
Për arrestimin e autorit të dyshuar reagoi Ministri i Brendshëm Balla, i cili përgëzoi policinë për punën e bërë. Ai thekson se do të punohet me autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese të Greqisë për ekstradimin e tij sa më parë në vendin tonë.
Klan News