Fermerët e Elbasanit janë integruar plotësisht në ekonominë e tregut duke u profilizuar dhe shfrytëzuar tokën për prodhimet që kanë në treg dhe mundësitë e fitimit.
Gjatë këtij viti është rritur prodhimi vendas, ndërkohë që drejtoria e bujqësisë ka në projekt sigurimin e tregut me shumicë dhe stimulimin e eksporteve.
Neshat Sadiku: “Gjendja aktuale e furnizimit të tregut në qarkun e Elbasanit është plotësuar me të gjithë perimet e serave dhe të fushës. Është ulur në mënyrë të ndjeshme furnizimi i tregut nga importi. Pothuajse në këtë periudhë nuk ka fare produkte qoftë të perimeve, qoftë edhe të pemëve frutore që të vijnë nga importi. Pra kjo tregon edhe një rritje në sasi të konsiderueshme të prodhimit vendas.”
Nga ana tjetër qarku i Elbasanit numëron dhe një numër të lartë të sipërfaqeve tokësore të cilat shfrytëzohen nga serat. Si një mundësi për prodhimin e produkteve për çdo stinë, fermerët tashmë e kanë të garantuar tregun e shitjes.
“Mbjellim rrush, kemi sera, bujqësi kemi e bëjmë raki, verë, e shesim, nga të gjitha anët i bëjmë këto.”
Gazetari: “Jeni të kënaqur?”
“Po të kënaqur jemi.”
Si pasojë e dominimit të prodhimit vendas çmimet kanë qenë më të ulëta në tregjet e fruta perimeve të Elbasanit.
Nga ana tjetër fermerët e zonave të thella janë duke shtuar sipërfaqet e mbjella me vreshta dhe dru frutor, pasi janë të stimuluar edhe nga subvencionet e shtetit në këtë drejtim.
Sa i përket sipërfaqes së pa punuar në qarkun e Elbasanit numërohen vetëm 700 Ha dhe këtë sipërfaqe fermerët ia kanë lënë në përdorim të afërmve të tyre.
Sektori i bujqësisë në rrethin e Lushnjës pas 20 vitesh shënon rendimentin më të lartë të këtyre dy dekadave. Statistikat e drejtorisë së Bujqësisë në qarkun e Fierit tregojnë se ky sektor shënuar rritje të rendimentit dhe të të ardhurave për frymë të popullatës.
Isuf Çela: “Në vitin 2009 ka një rritje 2.6 % krahasuar kjo me vitet 2008, me 2007 është 4.3 % dhe me 2006 është 5.2 %. Rezulton se për çdo familje fermerësh duke e parashikuar për një familje me 4 veta, për çdo fermer viti 2005 del me 2.8 dollar/frymë, viti 2006, 3 dollar, viti 2007, 3.1 dollar, viti 2008, 4.1 dollar dhe viti 2009, 4.3 dollar/frymë.”
Kjo rritje shpjegohet si efekti i përmirësimit në strukturat e mbjelljeve, i përqendrimit dhe rajonizimit të kulturave bujqësore, por ky studim ka treguar se subvencionimi nga shteti shqiptar i vreshtave, pemëtoreve, ullishtave apo në blegtori ka bërë që të nxisë fermerin myzeqar të shtojë sipërfaqet e mbjella./tvklan.al