Ka arritur në 68 mijë m2 sipërfaqja e tokës që pas verifikimit nga ana e komisioneve vendore në të gjithë vendin ka rezultuar si e dhënë në mënyrë abuzive dhe për këtë arsye ju është hequr tapia.
Në një intervistë për TV Klan zv/kryeministri, Genc Pollo, i cili udhëheq procesin e verifikimit të titujve të pronësisë, shton se ka mjaft raste skandaloze të zaptimit të tokës.
Genc Pollo: “Janë marrë shumë vendime nga komisionet vendore pranë prefekturave që kanë kompetencën për të shqyrtuar dhe për të përcaktuar kur toka është zaptuar, është abuzuar me ligjin 7501 dhe prandaj revokohet titulli i pronësisë dhe është arritur të merret nga zaptuesit një sipërfaqe e mirë toke, për momentin kur jemi afro 68 mijë m2.Ka raste si në rrethin e Fierit, në fshatin Dermenas siç është zaptuar toka e planifikuar për varreza, tashmë i është kthyer fshatit dhe po ndërtojnë varrezat. Në Libofshë iu kthye shkollës oborri që i ishte zaptuar në të njëjtën mënyrë me falsifikime dhe abuzime.”
Verifikimi i titujve të pronësisë kryhet në bazë të ankesave dhe pretendimeve për tokën, përjashtim bën zona turistike e vendit ku çdo metër do të kalojë në sitën e komisioneve vendore të verifikimit.
Zv/kryeministri pohon se në bregdet tashmë janë identifikuar me dhjetëra hektarë tokë e përftuar padrejtësisht dhe se shqyrtimi i këtyre rasteve nga komisionet përkatëse nis muajin e ardhshëm.
Genc Pollo: “Në mënyrë të veçantë në vëmendje të komisioneve vendore do jetë brezi turistik, për të cilin ligji parashikon që të shqyrtohet në mënyrë kapilare dhe sekretariati teknik i komisionit qeveritar të tokës si dhe komisionet vendore tashmë kanë identifikuar sipërfaqe të mëdha, dyzina hektarësh që janë zaptuar, që janë marrë me pa të drejtë duke abuzuar me ligjin 7501 dhe do procedohet javët, muajt e ardhshëm.”
Sipërfaqja e tokës që ju merret zaptuesve sipas zv/kryeministrit do të vihet në shërbim të komunitetit vendor ose për kompensimin e pronarëve të vjetër.
Genc Pollo: “Toka që është marrë në mënyrë abuzive i merret zaptuesit dhe mbetet në një fond të veçantë. Pastaj rast pas rasti në një moment të dytë qeveria do të vendosë nëse këtë tokë të rimarrë do ja lërë komunës apo mund ta kalojë në një fond të veçantë për kompensimin e ish-pronarëve.”
Abuzimet më të mëdha me titujt e pronësie konstatohen në zonat fushore të vendit. Prefektura me më shumë raste të tilla është Fieri ku deri më tani janë rimarrë rreth 32 mijë m2, e pasuar nga Vlora me 30 mijë dhe Berati me një sipërfaqe prej 6 mijë m2.
Procesi i verifikimit të titujve të pronësisë nisur disa muaj më parë do të shtrihet në një periudhë 3 vjeçare dhe tenton të eliminojë padrejtësitë e bëra në shpërndarjen e tokës me ligjin 7501./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro