Gjykata e Apelit ka marrë në shqyrtim kërkesën e presidentit të “Partizanit” Albert Xhani për heqjen e masës së sigurisë ‘burg pa afat’ marrë ndaj tij nga Gjykata e Faktit. Sipas avokatit, Albert Xhani është arrestuar me akuzën ‘tjetërsim pasurie’ vepër penale e konsumuar sipas prokurorisë në ’96-ën, por e amnistuar më pas në vitin ‘97. Gjithashtu avokati ka dorëzuar pranë trupit gjykues të apelit kopje të vendimeve marrë më parë nga dy nivele gjyqësore ku është shqyrtuar si padi civile shitblerja e pasurisë për të cilën Xhani akuzohet se e ka tjetërsuar.
Fatmir Braka: “Veprat për të cilën akuzohet Albert Xhani ato civilisht janë gjykuar nga Gjykata Civile dhe Albert Xhanit i kanë dhënë të drejtën në këtë pikë duke vendosur vendimet e gjithë gjykatave pro Albert Xhanit dhe aktet siç janë marrë nga gjyakata janë kthyer në prokurori dhe prokuoria s’ka bërë absolutisht asnjë veprim vetëm me një akt të prokurorit, me sa më kujtohet Llambi Bako, është bërë fillimi i një procedimi penal për shpërdorim detyre në përgjithësi për “Klubin Partizani” dhe thuhet që kanë përgjegjësi funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Albert Xhani d.m.th. ka sajuar, si të thuash, një vendim për të bërë një lidhje imagjinare të atyre akteve që tërhoqi nga gjykata për të bashkuar me këtë dosje, gjoja të nisur në prokurori, ndaj është bërë dhe ky bashkim. Dhe unë shtroj pyetjen: çfarë ndryshoi nga prokuroria kur pikërisht me të gjitha këto akte u çua për gjykim në njërin rast 10 ditë më para, 15 ditë më para, në gjendje të lirë, tërhoqi aktet dhe pastaj një ditë të bukur pas 10-15 ditësh të tjera e arrestojnë? D.m.th. kushdo në këtë sallë mund ta kuptojë që vetëm në këtë tip nuk ka logjikë që çfarë ndryshoi që Albert Xhani u bë i rrezikshëm këto 10 ditë.”
Albert Xhani: “Kur shikoj analizën dhe mbrojtjen, dhe provat, dhe argumentet që solli zoti avokat Braka nuk ngelet gjë tjetër veçse ta përshëndes, dhe ta falënderoj, dhe ta kem për nder që kam një avokat të tillë që mbetet në bazë të ligjeve dhe provave dhe të shpresoj që dhe gjykata të jetë e pavarur dhe të japë një vendim sa më të drejtë.”
Prokurorja Thëllëza Halka ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë thjesht duke përsëritur akuzën ‘tjetërsim pasurie’ dhe fillimin e hetimit për shëprdorim detyre pa dhënë prova të tjera. Trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendim të cilin do ta deklarojë 24 orë pas sancës shqyrtuese. Albert Xhani është arrestuar dy javë më parë. Megjithëse me një akuzë për nëj vepër penale të amnistuar dhe me një tjetër vepër penale ende nën hetim, Gjyakta e Faktit vendosi ndaj tij masën ‘arrest me burg’ veprim i konsideruar nga mbrojtja me motive antiligjore dhe të pabazuara. /tvklan.al