Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gazetarja: Është vënë në alarm policia dhe zjarrfikësit e Tiranës, madje priten përforcime dhe nga Durrësi dhe rrethe të tjera, pasi një zjarr i rënë në orët e para të ditës në një ish-ndërmarrje e cia funksionon si magazinë për kimikate, ka vënë në alarm, pasi në çdo moment mund të ketë shpërthim zjarri.

Zjarri ka rënë rreth orës 8:30 ndërkohë që në magazinat e firmës Bojra Neon në hyrje të Tiranës sapo kishte filluar puna për ambalazhimin dhe shpërndarjen e lëndëve kimike, kryesisht dylien të importuara nga Greqia. Minutat e para të përhapjes së flakëve kanë qenë mjaft kritike, pasi disa nga fuçitë kanë filluar të shpërthejnë, duke rrezikuar plotësisht zonën përreth.

Sapo është mbërritur në vendngjarje, zjarrfikës dhe skuadra të ndërhyrjes së shpejtë kanë izoluar me rërë dhe gëlqere një zonë të ngushtë ndërmjet magazinës dhe karburantit Brraka, duke parandaluar kështu përhapjen fatale të flakëve në depozitën e karburantit. Që në momentet e para të ndërhyrjes emergjente policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht, se me gjithë situatën në alarm, zjarri nuk kishte dëmtuar punëtorë të magazinës dhe banorë përreth.

Policia: “Deri në këto momente janë konstatuar dëme materiale, po nuk kemi informacione dhe dëme të tjera në njerëz, ku ndërkohë dhe siç e shihni vetë, këtu zjarri është drejt shuarjes dhe është ngritur menjëherë grupi hetimor për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë e kësaj ngjarje”.

Në vendngjarje është dashur të vijnë menjëherë mjete zjarrfikëse dhe të ndërhyrjes së shpejtë jo vetëm nga Tirana, por dhe nga Durrësi dhe Kruja. Pas 5 orëve punë intensive është shuar vatra kryesore e zjarrit. Mjetet zjarrfikës janë sërish në gatishmëri, pasi temperaturat e shkaktuara gjatë djegies mund të provokojnë shpërthim të tjera në fuçitë me dylient.

Një grup prokurorësh dhe ekspertësh kanë filluar menjëherë punën për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e zjarrit, ndërsa punëtor të magazinës, do të deklarojnë në lidhje me momentin e rënies së zjarrit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj