Zjarri i rënë tre javë më parë në territorin e Kukësit ka kaluar prej 4 ditësh në bjeshkët e Fanit dhe Oroshit në Mirditë.
Lajmin e jep kreu i kësaj bashkie, Albert Mëlyshi, i cili bën me dije se kërkohet në mënyrë të menjëhershme ndërhyrje nga ajri.
Ai thotë se ka kaluar rreziku në fshatin Shëngjin, por janë dy fshatra të tjerë ku situata mbetet kritike.
“Rreziku për fshatin Shëngjin ka kaluar, por mbetet kritike situata për fshatrat Petoç Njësisë Administrative Fan dhe Lajthizë Njësia Administrative Orosh. Situata vazhdon të mbahet e monitoruar dhe të luftohet me flakët 24 orë nga shërbimi zjarrfikës dhe pyjor, por dhe banorë të zonës të cilët i falenderojmë. Gjithashtu prej ditës së djeshme ndërhyrjes së Bashkisë i janë bashkuar edhe forcat zjarrfikëse të ushtrisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Kërkohet në mënyrë imediate ndërhyrje nga ajri”, tha kreu i bashkisë.
Mëlyshi i bën thirrje banorëve të fshatrave në Fanë dhe Orosh t’u vijnë në ndihmë forcave zjarrfikëse./tvklan.al