Të gjithë fiderat që shpërndajnë energjinë e nënstacionit të Kasharit për 53 mijë abonentë të kryeqytetit janë djegur. Defekti është shkaktuar nga një kabull, i cili ka bërë qark të shkurtër dhe ka djegur më pas të gjithë kanalin e transmetimit të energjisë.
Fikja në kohë e zjarrit parandaloi një tragjedi e cila mund të përhapej në të gjithë zonën përgjatë autostradës Tiranë – Durrës. Një punonjës i kompanisë së shpërndarjes ndodhet në spital për shkak të djegies që ka marrë.
Aeroporti i Tiranës, një spital privat dhe dega e ujësjellësit aktualisht po furnizohen me burime alternative. Ndërsa bizneset përgjatë autostradës, Kamza, Yzberishti, Kashari, Mzezi dhe Unaza e re janë pa energji.
Këtë vit OSHEE premton të ndërtojë një nënstacion të ri për Kasharin, i cili do të rritë cilësinë e furnizimit me energji për abonentët e kësaj zone.
Tv Klan