Rishfaqet pas dy vitesh në Shqipëri, gripi i shpendëve. Ministria e Bujqësisë bën me dije se ka nisur monitorimin dhe kontrollin të 2304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme, për zbulimin dhe kufizimin e hershëm të përhapjes së virusit H5N1.

“Në kuadër të monitorimit të Influencës Aviare, menjëherë mbas shpalljes “alert” nga Laboratori i Referencës – ISUV” filloi monitorimi i fermave brenda zonës se mbrojtur në Njësinë Administrative Mëzez, Kashar, Tiranë, dhe bazuar në Planin e Kontingjencës është  kontrolluar lëvizja e shpendëve të gjallë, në zonën e konfirmuar pozitive, në të cilën janë marrë kampione nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, për ti analizuar ato në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë”.

Janë marrë 90 mostra tek personat e afërt në zonën ku është konfirmuar gripi i shpendëve. Ashtu si Ministria e Bujqësisë, edhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik konfirmojnë se në popullatë nuk ka asnjë të infektuar me virusin e gripit të shpendëve.

“Personat të cilët kujdesen për shpendët janë të rrezikuar prandaj janë marrë mostra dhe janë evidentuar çdo lloj problemi dhe nuk ka rezultuar asnjë i infektuar”, tha Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Bino thotë se transmetueshmëria e virusit nga shpendët tek njeriu është me risk të ulët dhe nuk ka vend për alarm.

“Transmetueshmëria nga shpendët tek njerëzit është i ulët, risku nuk është I lartë. Produktet nuk kanë rrezik kur gatuhen shumë mirë”, tha Bino.

Specialistët thonë se vaksinimi ndaj gripit sezonal ndihmon edhe për gripin e  shpendëve.

“Mendohet që vaksina ndaj gripit ndihmon edhe për virusin e gripit të shpendëve”.

Shenjat e gripit të shpendëve, H5N1 paraqitet me shenja të ngjashme të gripit sezonal, në raste më të rënda edhe më vështirësi në frymëmarrje. Për këtë arsye vetëm analizat laboratorike mund ta diferencojnë atë. Specialistët e ISHP kërkojnë që personat që kujdesen për shpendët të tregojnë kujdes dhe të përdorin veshjet speciale.

Tv Klan