Zjarret që kanë shpërthyer që nga e marta në Kaliforni i kanë marrë jetën deri më tani të paktën 16 personave dhe pritet që ky numër të mund të rritet pasi të zhdukur rezultojnë të paktën 13 të tjerë, fati i të cilëve ende nuk dihet.

Përpjekjet për shuarjen e vatrave të zjarrit janë intensifikuar pas paralajmërimeve të autoriteteve se erërat e forta mund të vështirësojnë më tej situatën.

Gjatë 24 orëve të fundit, zjarri në lagjen Palisejds u përhap në 1000 hektarë të tjerë duke shkatërruar banesa të tjera. Autoritetet amerikane kanë deklaruar se janë djegur mbi 12 mijë shtëpi, ndërsa ka rrezik për 57 mijë banesa të tjera.

Zjarri në lagjen Palisejds kërcënon të përfshijë edhe Brentud, një lagje luksoze ku jetojnë shumë personazhe të njohur dhe në luginën e San Fernando.

Shtatë shtete fqinje përfshirë Kanadanë dhe Meksikën kanë ofruar ndihmën e tyre me ekipe të zjarrfikësve për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Zyrtarët kanë shpallur një emergjencë të shëndetit publik për shkak të tymit të dendur toksik. Përtej atyre që humbën shtëpitë e tyre, dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.

Klan News