“Vijon të jetë problematike prej një jave situata në Bashkinë e Mirditës sa i takon zjarreve. Më vështirë situata paraqitet në dy njësitë administrative, atë të Oroshit dhe Fanit, ku forca të shumta zjarrfikëse, ato të ushtrisë, por edhe ndërhyrja nga ajri nuk e kanë bërë të mundur ende normalizimin e situatës”, raporton gazetari Martin Marku.

Helikopteri Cougar dhe rreth 60 efektivë të Forcave të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e vatrave të zjarrit që po zhvillohet në një sipërfaqe me pishë e shkurre, në njësitë administrative Fan dhe Orosh të bashkisë Mirditë.

Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi thotë se situata është e vështirë, ku prej një jave është ndërhyrë, por është vendosur një perimetër sigurie në rrugë për të mbrojtur zonat e banuara.

Gjatë 24 orëve të fundit Ministria e Mbrojtjes thotë se janë raportuar 36 vatra zjarri, nga të cilat 31 janë shuar. Të tjera forca janë duke punuar për izolimin e zjarreve në 5 vatrat e tjera aktive në Kurbin, Kukës, Vlorë, Shkodër e Korçë, ku situata sipas Ministrisë së Mbrojtjes është nën kontroll dhe deri më tani nuk paraqesin rrezik për banesat.

Tv Klan