Shëngjini prej orësh është nën pushtetin e flakëve. Situatë paraqitet shumë kritike nga zjarret, të cilat janë përhapur në një sipërfaqe të madhe me pisha duke ju afruar zonave të banuara. Një banesë është përfshirë nga flakët.
Forcat zjarrfikëse dhe ushtrisë po luftojnë nga toka dhe ajri për të frenuar flakët që të mos përfshinë hotelet dhe banesat, ndërsa në ndihmë kanë ardhur dhe dy avionë zjarrfikës nga Italia.
Policia e Shtetit është angazhuar përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë në evakuimin e banorëve dhe turistëve që kanë zgjedhur Ranën e Hedhun për të kaluar pushime, pasi flakët dhe tymi përbënin rrezik.
Flakët përhapen me shpejtësi ndihmuar edhe nga era e fortë dhe temperaturat e larta. Zjarri është afruar shumë pranë godinave të disa hoteleve buzë detit, por forcat e shumta të zjarrfikëse po luftojnë të frenojnë flakët.
Ndërkohë që shkëndija e zjarrit kanë djegur çadra e shezlongë në bregdet. Në terren janë më shumë se 100 forca me 20 mjete, teksa po ndihmohen edhe nga banorë të zonës dhe vullnetarë.
Ministri Taulant Balla është kthyer sërish në Shëngjin, dhe foli për situatën kritike.
“Nëse do t’i merrnim bashkë forcat e armatosura bashkë me forcat zjarrfikëse janë rreth 350 forca të dislokuara këtu në Shëngjin. Situata më e vështirë është këtu, por edhe te pjesa që shkon për te Rana e Hedhun, por unë jam shumë i shqetësuar edhe për pjesën që lidhet me kurorën mbi qytet, mbi Ishëm,” tha ministri Taulant Balla.
Balla tha se zjarri nuk është i qëllimshme, ndërsa për dëmet do të bëhet një vlerësim më vonë.
“Sipas vlerësimit paraprak të Policisë së Shtetit nuk kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme, sepse dihet në këto raste duhet të bëjmë ç’është e mundur që të gjejmë autorin,” përfundoi Balla.
Deri më tani është djegur sipërfaqe e konsiderueshme me pisha e bimësi të tjera, ndërsa puna në terren për izolimin e flakëve vijon.
Klan News