Adenis Doçaj ndezi një zjarr për të djegur mbeturinat pranë shtëpisë së tij të vjetër në fshatin Spiten të Lezhës. Por flakët i dolën jashtë kontrollit, e për pasojë zjarri përfshiu një zonë të madhe pyjore.

Policia thotë se u njoftua për ngjarjen rreth orës 12:30. Me të vajtur atje, autoritetet bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e 33-vjeçarit Doçaj, i cili përballet me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr.

“Rreth orës 12:30, Policia ka marrë njoftim se në fshatin Spiten, Lezhë, ka rënë zjarr në një zonë të pyllëzuar. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë shkuar menjëherë në vendin ku kishte rënë zjarr dhe, falë veprimeve të shpejta, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të zjarrvënies, konkretisht shtetasin: Adenis Doçaj, 33 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë”.

“Ky shtetas kishte shkuar në fshatin Spiten dhe në afërsi të banesës së tij të vjetër, duke pastruar ambientin para banesës, kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturinat, por si pasojë e erës së fortë zjarri u përhap në një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar“, thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës./tvklan.al