Lajme Arkiva 2003

Ligjvënësit socialist janë pajtuar me rezolutën e kryesisë së partisë. Rezoluta ju paraqit grupit të sotëm me një mbledhje në më pak se 17 minuta. Ministri i jashtëm Meta përsëriti se nuk mendonte dorëheqjen dhe as hapat që mund të ndërmerrte kryeministri Fatos Nano.

Ilir Meta: Dorëheqja në radhë të parë nuk është një akt që bëhet me urdhër. Dorëheqja është një akt që jepet në mënyrë individuale dhe unë mund t’ju them se  nuk kam arsye të jap dorëheqjen për arsye se nuk jam i bindur që duhet të jap dorëheqjen, sepse nuk jam i bindur që nuk kam kryer me përgjegjësi politike dhe institucionale detyrat ekzistuese dhe po kështu nuk jap dorëheqjen për arsye se përpjekja për të shndërruar një debat konstruktiv, një debat që i fton të gjithë për të reflektuar për më shumë përgjegjësi në një politik përjashtimi, në një politik denigrimi, është mjaft e rrezikshme. Unë nuk marr përsipër që të flasë në emër të zotit Nano, ai ka të drejtën e tij që të marrë të gjitha iniciativat që i gjykon të dobishme apo të arsyeshme, unë mund t’ju them që kryesia e Partisë Socialiste ka qenë dhe mbetet kundër frymës së përjashtimit, kundër frymës së hakmarrjes, kundër frymës së genocidit politik për arsye të mendimeve dhe të arsyetimeve parimore.

Zëvendës kryeministri Ilir Meta u shpreh se qëndrimet e tij kanë qenë parimore dhe jo luftë personale.

Ilir Meta: Dëshiroj të shpreh kënaqësinë për rezolutën përfundimtare të mbledhjes së djeshme të kryesisë e cila është pikërisht edhe në frymën e atyre shqetësimeve dhe konstruktivitetin e ngritjes së problemeve nga ana ime. Dua të shpreh keqardhjen për të gjithë ata shok që i kanë paraqitur shqetësimet e mia si kontradikta antagoniste, një fjalë që për mendimin tim i takon një fjalori të tejkaluar nga koha dhe po kështu të gjithë ata që i kanë që paraqitur si një përpjekje për të bërë luftë brenda qeverisë pasi mendoj se përpjekjet e mia brenda qeverisë kanë qenë të qarta.

Anëtarja e kryesisë Ermelinda Meksi tha për TV Klan se rezoluta ishte shumë e qartë.

Ermelinda Meksi: Ne nuk kishim ndonjë dyshim për këtë përderisa e vendosi forumi ne si gjithmonë mbështesim forumin.

Gazetarja: A u diskutuan emra konkret sot?

Ermelinda Meksi: Jo nuk është diskutuar asnjë emër konkret. Çfarë keni parasysh me emra konkret? Gjithmonë zhvillimet kërkojnë përmirësime dhe shprehja është shumë e qartë.

Megjithëse debatet po bien  asgjë nuk ka mbaruar pasi Nano nuk është tërhequr nga kërkesa për dorëheqjen e Metës./tvklan.al