Intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe sidomos për integrimin në BE, ka qenë dhe qëllimi kryesor i zv/kryeministrit dhe njëkohësisht Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Serbi.
Sipas Metës pavarësisht qëndrimeve të ndryshme për statusin e Kosovës, bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë.
Ilir Meta: “Pavarësisht nga dallimet thelbësore për statusin e Kosovës, Shqipëria dhe Serbia janë të vendosura të bashkëpunojnë për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe në interes reciprok për të kontribuar së bashku në drejtim të integrimit evropian dhe të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, e në mënyrë të veçantë për të bashkëpunuar në drejtim të integrimit të BE-së”.
Në lidhje me reagimin e eksponentëve të Partisë Socialiste për vizitën në Beograd, Meta tha se:
Ilir Meta: “Natyrisht që mund të flas për njerëz që e njohin politikën e jashtme dhe që i kanë konceptet e saj, se Kosova nuk është një çështje bilaterale midis Shqipërisë dhe Serbisë, asnjëherë nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë ashtu sikurse do të ishte një hipokrizi e madhe që të thuhet se për këtë çështje nuk është diskutuar, sepse për këtë çështje ne diskutojmë me të gjithë”.
Gjatë konferencës për shtyp ministri i Jashtëm Meta tha se qeveria do kryejë regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe kështu do verifikohen dhe pretendimet e palës serbe për minoritetin serb në Shqipëri./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi