Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Shtetit për Integrim Ermelinda Meksi, ka qenë pjesëmarrëse në raundin e 4 teknik të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian në Bruksel. Gjatë negocimin për marrëveshjen e ripranimit dhe mbi rregullat e marrëveshjes së mallrave, delegacioni shqiptar ka kërkuar që vendi ynë të tolerohet në kohë për disa pjesë të marrëveshjes, që sjellin një kosto ende të papërballueshme për Shqipërinë.

Ermelinda Meksi:- “Me negocimin e marrëveshjes së ripranimit, u arrit që me palën komunitare të adoptohet i njëjti qëndrim i mbajtur edhe në rastin e miratimit të marrëveshjeve të së njëjtës logjikë, por në kuadër bilateral me vendet e BE, duke kërkuar një periudhë tranzicioni për zbatimin e kësaj marrëveshje, sipas propozimit të palës shqiptare, në mënyrë që hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje, të mos na krijojë një kosto të papërballueshme të shtetit tonë”.

E pyetur nëse ka rezerva të BE, për taksën për rrugën Durrës-Morinë, e njohur ndryshe edhe si taksa Majko, Meksi është shprehur, se në takimet e Brukselit është biseduar vetëm për çështjen në parim, ndërsa kjo rrugë ka rëndësi po aq sa procesi i stabilizimit.

Ermelinda Meksi:- Për ne mbetet prioritet  rruga Durrës-Morinë ashtu sikurse është prioritet procesi i negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të cilat në asnjë mënyrë nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi janë komplementare./tvklan.al